Filmat shqiptarë dhe filmimet e vyera që  bëjnë pjesë në koleksionin e Arkivit Qëndror të Filmit, rrezikojnë  zhdukjen. Ka qenë ky  konstatimi i bërë nga  specialistja amerikane Regina Longo, e ftuar në Shqipëri nga Arkivi i Filmit dhe bashkëpunëtorët Iris Elezi dhe Tomas Logoreci, në një mision special për të analizuar gjendjen aktuale të arkivave. 

Znj.Longo ka një eksperiencë mbi 16-vjeçare në arkivimin dhe ruajtjen e materialeve të vjetra filmike në vende të ndryshme të botës dhe aktualisht  jep mesim në Universitetin e Kalifornisë.

“Në këto momente, në gjendjen më të keqe ndodhet vetë godina e cila po shkakton probleme të mëdha me filmat. Është krijuar një situatë me të vërtetë serioze për shkak të mykut brenda ndërtesës, gjithashtu temperatura dhe lagështira ndryshojnë në mënyrë të vazhdushme dhe nuk ka një mënyrë për t’i mbajtur konstante. Për këtë arsye filmat kanë filluar të dekompozohen dhe në disa prej tyre ka filluar të rritet myku”, thotë Regina M. Longo, Specialiste e Arkivimit dhe Ruajtjes së Filmave.

Ka qenë kjo një nismë e veçantë nga një institucion, e cila synon marrjen e masave përpara se të bëhen dëmtime të pariparueshme  në memorien kinematografike  të  kombit tonë. Me gjithë ndihmën e dhënë në zgjidhjen e disa prej problemeve që i kanosen arkivit nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, ka ende nevojë të menjëherëshme për fonde, në mënyrë që të zgjidhet problemi kryesor, ai i një godine të përshtatshme për të mbajtur materialet e rrezikuara.

“Do të ishte shumë mirë që ne të ngrinim fonde, sa më shumë që të mundemi për këtë arkiv ku ka shumë pak njerëz që bëjnë punën e shumë njerëzve,  që gjithë kohës kujdesen për mirëmbajtjen, ndërkohë që shumë kineastë, historianë janë në gatishmëri të shikojnë ç’imazhe ka Shqipëria sepse ne si Mollë e Ndalur që kemi qenë, jemi ende të panjohur, kështu që do të jetë shumë interesante nëse bëhen kërkime shkencore, nëse këto lloj imazhesh filmike që ne kemi, hapen në botë, do të kemi shansin të shohim interesin që bota mund të ketë ndaj nesh”, thotë regjisorja dhe bashkëpunëtorja e AQFSH-së, Iris Elezi.

Në fondin e Arkivit gjenden materiale dhe fotografi të  cilat datojnë që nga viti 1911, me një filmim të vjetër të Shkodrës, dhuruar fondit nga Arkivi i Malit të Zi, e deri në Filma të ditëve të sotme. Disa nga momentet më të rëndesishme të shënuara në historinë  e Shqiperisë janë përjetësuar në film.

Top Channel