Ylli i “Mission Impossible”, Tom Cruise, u largua në mënyrë sekrete nga Islanda, në orët e para të ditës së martë.
Aktori u ngjit në bordin e avionit të tij privat në aeroportin e Rejkjavikut, duke kaluar në udhëtim për në SHBA ditëlindjen e tij të 50-të, në 3 korrik.
Tom kishte vendosur më parë që të kalonte ditëlindjen në vendin nordik, por duket se çështja e divorcit nga gruaja e tij, Kate Holmes, e ka detyruar të rikthehet në Kaliforni, ku aktori ka një vilë të mrekullueshme me vlerë 30 milionë dollarë.
Sipas një burimi pranë çiftit, Cruise iu përgjërua bashkëshortes së tij që ta ndiqte në sheshxhirimet e filmit “Oblivion” në Islandë, në një tentativë të fundit për t’u pajtuar.
Megjithatë, Holmes refuzoi, duke bërë të qartë edhe një herë më shumë se është e patundur nga vendimi i ndarjes dhe se dëshiron ta finalizojë sa më shpejtë diçka të tillë.
Sidoqoftë, mbetet ende i pazbuluar motivi i vërtetë i këtij kthimi surprizë të Cruise në SHBA.
Një javë më parë, aktori hollivudian dhe Holmes bënë publik vendimin për t’u divorcuar. Burime pranë çiftit thanë në mediat amerikane se “shqelmin” e fundit martesës së tyre në krizë ia dha debati mbi edukimin fetar të vajzës 5-vjeçare, Suri.
Top Channel