Të gjithë e mbajnë mend biçikletën e tyre të parë, por të rrallë mund të jenë ata që vazhdojnë ta përdorin edhe pas 60 vitesh.
70-vjeçari Brian Burdett vazhdon të përdorë të njëjtën biçikletë që ka marrë dhuratë kur u bë 12 vjeç.
“Kjo biçikletë më ka bërë shumë të lumtur sepse ishte ndryshe nga të tjerat. Kishte një ngjyrë blu të shkëlqyeshme dhe asnjë prej shokëve të mi nuk kishte biçikletë të tillë”, shprehet i moshuari biçikleta e të cilit vazhdon të jetë në një gjendje shumë të mirë pavarësisht se ka kaluar shumë kohë që nga hera e parë që është përdorur falë përkujdesjes që tregon pronari për të.
“Kur i hipi e ndjej veten të vogël edhe një herë tjetër. Është e vetmja gjë që më ka mbetur nga fëmijëria. Njerëzit më shohin paksa si anormal që kam këtë pasion për çiklizmin dhe biçikletën time, por jam njësoj si ata që kalojnë kohën duke peshkuar”, thekson Burdett për ‘Daily Mail’.
Më tej, 70-vjeçari parashikon se biçikleta do të jetë mjeti i transportit i së ardhmes: “Është e vështirë që njerëzit të vazhdojnë të përdorin makinat duke parë mënyrën se si i ngasin. Nuk do të ketë më as vend për to. Kur ke biçikletë nuk ke pse shqetësohesh as për çmimin e naftës.”
Top Channel