Matura Shtetërore ka përfunduar, por pas ka lënë gjurmë të errëta. Provimi me zgjedhje ka përfunduar me arrestimin e katër mësuesve në Kamëz, të cilët kanë kërkuar 25 deri në 50 mijë lekë për të ofruar përgjigjet e pyetjeve.

Ministria e Arsimit sqaron se ndëshkimi do të jetë individual dhe nxënësit që kanë kopjuar do të vlerësohen sipas rregullave të Maturës Shtetërore.

“Ndëshkimi kurrë nuk është kolektiv që do të thotë mosnjohje e provimit apo mosnjohje e pikëve për ata që kanë kopjuar”, shprehet Alfons Harizaj, drejtori i përgjithshëm në vlerësimin e Maturës Shtetërore.

Por, veç arrestimit, ditën e zhvillimit të provimit të fundit me zgjedhje, Parlamenti Rinor bëri publike faqet në Facebook ku jepeshin përgjigjet e testit. Ministria e Arsimit nuk jep shpjegime se përse lejohen nxënësit të futen në provim me telefona celularë, ndërsa thekson se ky ishte një incident i vogël në krahasim me gjithë procesin.

“Këto janë njolla të vogla në krahasim me procesin në tërësi që është i pacënuar. Dyshimet për kopje hetohen nga komisionet tona të ngritura për këto raste”, shton Harizaj.

Ministria e Arsimit lajmëroi se pasditen e së dielës do të jepen dhe përgjigjet e matematikës. Per ta ky proces ka qenë i rregullt dhe niveli i përgjithshëm i testeve ka qenë mesatar. Kjo sipas tyre tregohet edhe me nivelin më të lartë të notave këtë vit.

Top Channel