
Më 1954-n, Gjermania Perëndimore u shpall kampione e botës, edhe pse i
kishte parashikimet kundër. Por në krye të saj ishte kapiteni Fric
Valterm, 34 vjeç. Më 1974-n, RFGJ-ja kishte personalitetet e mëdha,
Bekenbauer, Maier, Overat, Necer dhe Gerd Myler.
Së fundi, më 1990-n, Gjermania Perëndimore kishte sërish kapitenë si Mateus, Brehme, Buhvald, Litbarski apo Rudi Fëler. Të gjithë këta ishin te të 30-at kur arritën të sundonin botën, qoftë më 1974-n, qoftë më 1990-n. Titujt e mëdhenj nuk mund të fitohen pa pasur shumë personalitet dhe shumë përvojë, sidomos kur nuk ke supertalente si Diego Maradona i Argjentinës më 1986-n. Kjo Gjermani e trajnerit Joakim Lëv ka një kapiten që quhet Filip Lahm, një lojtar shembullor, tepër i edukuar, korrekt dhe i talentuar, por jo një lider i fortë si Mateus apo Oliver Kahn. Po kështu mund të flasim për Bastian Shvajnshtajgerin. Kapiten lind, nuk bëhesh. Te Bajerni i Mynihut, njeriu që tërheq skuadrën para është Frank Riberi dhe kjo u pa qartë ndaj Realit dhe Çelsit kur francezi u detyrua të linte fushën e lojës. Përveç kësaj, Gjermania sot nuk ka përvojën e mjaftueshme. Në mbrojtje, ndaj Italisë ishin 3 lojtarë nga 23 vjeç: Humels, Badshtyber, Boateng, kurse në mesfushë Ozil është 23 vjeç, Kedira 25, Kros 22, Myler 22, Rojs 23 dhe Gëtce e Shyrrle nëse do të luanin, përkatësisht 20 e 21. Bender është 23 vjeç. Në këto nivele, në një gjysmëfinale të një kompeticioni ndërkombëtar, gabime të tilla nuk shikohen shpesh. Por Joakim Lëv dhe skuadra e tij kanë bërë disa, që e kanë ndihmuar Italinë të fluturojë në finale kundër Spanjës. I pari, më shumë se sa taktik, është konceptual. Pavarësisht deklaratave të pragndeshjes, trajneri i Gjermanisë ka menduar para së gjithash të mos humbasë. Për të limituar pikën e forcës së Italisë (Pirlon) edhe me paktin e sakrifikimit të një pike force të tijën (në vend të Mylerit futi Toni Kros). Dhe pikërisht aty e humbi ndeshjen. Tek Italia e Prandelit ishin të paktën 3 kapitenë në fushë dhe këta quhen Bufon, Pirlo dhe De Rosi. Sidomos Bufon dhe De Rosi janë lojtarë me personalitet të madh dhe të tillë kanë qenë që 18 vjeç. Përveç kësaj, ata janë shumë të talentuar, si dhe me përvojë. Për Bufonin vlejnë më shumë 119 ndeshje në kombëtare sesa 121 ndeshjet për Miroslav Klosen. Po ashtu, vlejnë më shumë 88 ndeshje për Pirlon dhe 77 për De Rosin sesa 101 takime te Gjermania për Lukas Podolskin dhe 95 për Shvajnin. Natyrisht, kur analizon fitoren 2-1 të Italisë ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalet e Euro 2012-s nuk mund të mos theksosh edhe traditën, me bilancin tepër pozitiv italian dhe ecurinë e shkëlqyer të të kaltërve ndaj gjermanëve në turnetë e mëdhenj. Gjermania ishte e mrekullueshme në Europian. Ajo fitoi 10 nga 10 ndeshjet eliminatore, fitoi 3 ndeshjet e grupit, fitoi edhe çerekfinalen ndaj Greqisë. Në 15 takime gjithsej, fitoi 14 dhe pësoi vetëm një humbje, por ishte pikërisht kjo humbje që e eliminoi.
Top Channel