Vizita e fundit si President në Kosovë

29/06/2012 00:00

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka zgjedhur Kosovën për një vizitë lamtumire, në prag të përfundimit të mandatit të tij, sepse sipas tij është vendi ku ka përjetuar emocionet më të forta të jetës.

Presidentit Topi i është bërë një pritje e ngrohtë nga liderë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike. Në mesditë ai u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne. të thirrur enkas për të.

“Shqipëria vlerëson se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm, se në vijimësi mbështet plotësisht përpjekjet tuaja për shtrirjen e autoritetit zyrtar në çdo pjesë të territorit të Kosovës, si parakusht për vendosjen e plotë të sundimit të ligjit dhe drejtësisë”, u shpreh Presidenti Topi.

“Nuk duhet të mendohet se do të ketë ndarje të Kosovës dhe kjo është histori e përfunduar dhe se me ketë fakt duhet të mësohen edhe ata që kanë ëndërr të deformuar”, shtoi ndër të tjera Topi gjatë qëndrimit në Kosovë.

Në anën tjetër, puna e presidentit Topi është vlerësuar lartë nga kryekuvendari Jakup Krasniqi, në veçanti në lobimin për Kosovën, ndërsa kërkoi nga Tirana zyrtare angazhim edhe më të fuqishëm në mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në NATO, pjesë e së cilës është Shqipëria.

“Nisur nga ky fakt, shfrytëzoj rastin që të kërkoj nga ju z. President dhe mbarë institucionet më të larta të Shqipërisë, që të angazhoheni edhe më tej fuqimisht në mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësimin e saj në këtë Aleancë, e cila kontribuoi në mbrojtjen e njerëzimit në Kosovë dhe mundësoi fillimin e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë së saj”, tha Krasniqi.

Para seancës, presidenti Topi është pritur nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësoj para mediave se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shembullore.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë shembullore dhe si dy shtete sovrane e të pavarura, kanë një qëllim të përbashkët në rrugën tonë drejt integrimeve auro-atlantike”, çmoi Presidentja Jahjaga.

Në këtë vizitë, në interesin e gazetarëve ishte edhe situata politike e Shqipërisë. i pyetur se si vlerëson figurën e Berishës dhe të Ramës, Topi tha se “i vlerëson si përfaqësues të institucioneve shumë të rëndësishme”, ndërsa shtoi se është i nevojshëm forcimi i bashkëpunimit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.

 “Unë ndoshta mund të kem qenë kritik për nevojën e një opozite më të fortë, më profesionale, por nuk dëshiroj të bëjë me faj sot askënd, as mazhorancën as opozitën, por në këtë mesazh dëshiroj t’i inkurajoj dialogun i cili duhet të jetë i hapur, transparent, të jetë nevojë e domosdoshme për bashkëpunimin në parlament, ku secili të jap opsionin e vet, por vendi ka nevojë për disa ligje që i tejkalojnë numrat e një mazhorance”, tha Topi.

Ndërsa, duke folur për punën e tij si President, Topi u shpreh se në bilancin e tij të gjitha veprimet kanë qenë konform Kushtetutës së Shqipërisë. Gjatë së premtes, Topi është takuar edhe kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa, liderin e AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë homazhe tek varri i ish presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij, do të bëj homazhe tek kompleksi memorial i Jasharajve në Prekaz dhe tek ai i Haradinajve në Gllogjan të Deçanit.

Top Channel