Festivali ‘Bylis-Fonia’

29/06/2012 17:00

Pagëzuar simbolikisht ‘Bylis-Fonia”, është çelur edicioni i pestë i Festivalit Polifonik Ndërkombëtar që për nga forma është unik.

Grupet polifonike pjesëmarrëse e përcjellin traditën shekullore shqiptare në pode të ndryshme të improvizuara në qendrën e qytetit antik të Bylisit, e për këtë ky festival merr një tjetër peshë.

Studiuesit e folklorit flasin për një festival i cili mban gjallë vlerat unike që populli ynë mbart. “Shpresojmë që ky festival të japë një kontribut për të nxjerrë sa më në pah polifoninë shqiptare, një nga perlat e kulturës kombëtare shqiptare”, shprehet një specialist i polifonisë.

Grupet pjesëmarrëse vijnë kryesisht nga zonat jugore të vendit, por edhe nga përtej kufijve të Shqipërisë shtetërore. Veç artistëve, në çeljen e këtij festivali morën pjesë edhe drejtues të pushtetit vendor dhe deputetë të zonës.

“Kemi kthyer pas gati 3 700 vitesh koncertin në këtë vend të mrekullueshëm dhe në këtë teatër, ku kanë kënduar ilirët e hershëm. Duhet të investohej më tepër, por siç e shikoni, me këtë paraqitje modeste dhe këtë ambient modest, por me dëshirën e madhe të mallakastriorëve dhe të gjithë artdashësve nga vendi, jemi duke përjetuar ditë të gëzueshme”, deklaroi Piro Lutaj, deputet socialist i zonës.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqo shprehu dëshirën e tij që “në vitet e ardhshme, institucionet të japin ndihmesën e tyre, në mënyrë që ky aktivitet të bëhet gjithmonë e më madhor e më i rëndësishëm”.

Ky festival që bën bashkë grupe polifonike nga Shqipëria dhe përtej kufijve të saj është bërë i mundur falë financimit të Bashkive Fier dhe Ballsh, Ministrisë së Kultrës dhe shoqatës “Mallakastra”.

Top Channel