Prishja e një pjese të parkut të Tiranës, zyrtarisht për të zgjeruar rrugën e Elbasanit dhe për të ndërtuar një rezidencë të re të ambadës turke, ka krijuar një valë irritimi publik, i cili në dy javët e fundit ka fituar një vëmendjen e medias, pavarësisht temave të tjera të aktualitetit të kësaj vere të nxehtë.
Pas dy javësh në të cilat debati është përqëndruar në legjitimitetin e prerjes së disa qindra pemëve dhe ndërhyrjes në Varrezat e Dëshmorëve dhe Pallatin e Brigadave, emisioni i përjavshëm i çdo të hënë, “Shqip” i Rudina Xhungës, u përpoq të hidhte dritë për gjithçka që po ndodh në të vërtetë.
Mes një paneli të ftuarish që përfshinte ambientalistin Xhemal Mato, publicistin Artan Lame, politologun Henri Çili dhe anëtarin demokrat të Këshillit Bashkiak, Bledi Kasmi, fjalën e mori i pari zoti Çili. “Unë e shoh problemin shumë më gjerë dhe kuptoj që ky projekt është pjesë e një plani madhor për zgjidhjen e problemeve të trafikut në Tiranë. Ky është edhe plani i madh urbanistik, që lidhet edhe me aksin e ri të bulevardit të kryeqytetit”, u shpreh Çili.
“Unë mendoj që përtej faktit që zoti Basha dhe çdo pushtet duhet monitoruar, kemi arsye të ndihemi krenarë që kemi mbështetur një kryetar bashkie që po investon në disa zgjidhje të mëdha dhe të reja për Tiranën dhe po i qëndron disa premtimeve të mëdha, që kalojnë si zhurma përballë këtij presioni të shoqërisë civile”, tha ai.
I një mendimi diametralisht të kundërt ishte zoti Lame. “Qytetarët po dëgjojnë për parkun dhe nuk dua ta shndërroj këtë bisedë në politike në lidhje me performancën e bashkisë. Nuk dua të komentoj mendimin e Zotit Çili dhe pranoj që ekziston një pluralizëm mendimesh, ndonëse është si ai pluralizmi në kohën e komuznimit në Poloni, ku përveç partisë komuniste kishte edhe një parti fshatare që fitonte 0,0001% të votave dhe quhej se kishte pluralizëm”.
I pyetur konkretisht për të shpjeguar se çfarë po ndodh, Lame dha një shpjegim të qartë. “Po pritet një pjesë e pyllit në hyrje të parkut të Tiranës, një pjesë tek Varrezat e Dëshmorëve, deri lart në Sauk. Fillimisht lajmëruam policinë ndërtimore që po priten pemë, lajmëruam Ministrinë e Mjedisit, Bashkinë, deri sa pas një jave doli një deklaratë publike, ku nuk thonte praktikisht asgjë. Si rrjedhojë, ne vazhduam protestën, duke kërkuar që nëse është bashkia në origjinë të kësaj masakre, të nxjerrë projektin e miratuar”, tha Lame, i cili gjithashtu kontenstoi prezencën në studio të zotit Kasmi, të konsideruar prej tij si një person i papërshtatshëm për të përfaqësuar bashkinë, për shkak të detyrës së tij si kryeredaktor i Rilindjes Demokratike, një gazetë organ i PD-së.
Nga ana e tij, Kasmi këmbënguli në faktin që projekti në fjalë është prezantuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, e cila nuk varet nga Bashkia, që kështu nuk mund të prezantojë një projekt siç e kërkojnë ambientalistët. Megjithatë, sipas tij projekti ekziston dhe me këtë rast, Kasmi paraqiti në studio një skicë, e cila sipas tij ishte edhe vetë projekti, i firmosur nga autoritet përkatëse dhe i gjendshëm edhe në faqen e internetit të Agjensisë së Prokurimit Publik që prej datës 19 mars.
Në një lidhje të shkurtër me panelin e Shqip, ishte kreu i këshilltarëve socialistë, zoti Aldrin Dalipi. Zoti Dalipi akuzoi se nisja e zbatimit të projektit është e paligjshme pasi ky projekt nuk ka kaluar më parë në Këshillin Bashkiak, ashtu sic e kërkon ligji: Projekti nuk ka kaluar në Këshillin Bashkiak, kemi kërkuar nga kryetari për ta bërë publik projektin. Parku Kombëtar është pjesë e inventarit të Bashkisë së Tiranës dhe përsa kohë Bashkia e Tiranës nuk ja kalon Drejtorisë së Rrugëve, ky vendim është nul. Nëse qeveria qendrore ka ndërhyrë në inventarin e Bashkisë së Tiranës, pa kaluar në disa vendimmarrje transparente dhe ligjore, për këtë arsye është e paligjshme kjo ndërhyrje.
Ndërsa politologu Henri Çili deklaroi se përcaktimi ligjor apo joligjor i projektit, bëhet nga autoritetet përkatëse dhe e cilësoi kauzën e ambientalistëve dhe këshilltarëve të PS-së, si një kauzë sterile. Ndërkohë, ambientalisti Xhemal Mato deklaroi se në gjithë këto vite, politika nuk i ka dhënë qëllimisht statusin e vecantë të një parku, në mënyrë që të mund të ndërhynte në të duke ndërtuar dhe privatizuar.
Në një lidhje telefonik, arkitekti Artan Shkreli u shpreh kundër ndërhyrjes që po bëhet në Parkun e Liqeni dhe ngulmoi për bërjen publik të projektit të ndërtimit të rrugës, ndërsa analisti Artan Lame aludoi për dy projekte, njëri është ai që ndodhet në zyrat e Drejtorisë së Rrugëve dhe tjetri është ai që po zbatohet në terren, një projekt tërësisht në hije që nuk është bërë publik.
Ndërsa arkitekti dhe anëtari i Aleancës Kuq e Zi, Kristi Andoni në një lidhje të shkurtër deklaroi se ligjërisht, Drejtoria e Rrugëve ka përgjegjësi vetëm për akset kombëtare dhe sipas tij, Rruga e Elbasanit nuk ka statusin e një rruge kombëtare dhe ndodhet nën administrimin dhe kontrollin e Bashkisë së Tiranës. Zoti Andoni tha se ky zgjerim i rrugës nuk i shërben qytetarëve.
Top Channel