“Epidemia” e diabetit

25/06/2012 19:30

Diabeti është duke përparuar me hapa të shpejtë në të gjithë botën dhe deri në vitin 2025, llogaritet që ai të ketë prekur rreth 380 milionë njerëz në total, ose më shumë se 5% të popullsisë botërore.

Në këto kushte, nuk mund të flitet më për një sëmundje, por për një epidemi të mirëfilltë, që po përparon me ritme të shpejta edhe në vendin tonë.

Për të biseduar rreth kësaj sëmundje, në studion e “Pasdites”, në “Top-Channel”, ishte i pranishëm mjeku endokrinolog Dashamir Gjergji, i cili shpjegoi se: “Diabetin mund ta konsiderojmë një sëmundje të rëndë kronike paraqitet në shifrat e larta të sheqerit, por jo në qelizë ku sheqeri nevojitet, por në gjak. Si rregull, ka shumë faktorë që e shkaktojnë dhe kur shfaqet, sëmundja sjell një çrregullim të të gjithë organizimit. Pa dyshim, sëmundja lidhet me disa faktorë rregullues të nivelit të sheqerit në gjak, midis të cilëve kryesori është insulina, që njihet gjerësisht edhe për publikun”.

Por, çfarë e shkakton këtë problem në nivelin e hormonit të domosdoshëm të insulinës? Mjeku Gjergji vazhdoi: “Çfarë e shkakton? Ajo që dua të them është që trendi rritës apo shtimi i numrit është një problem madhor sa i përket sistemeve tona shëndetësore, pasi është një problem social i madh. Diabetiku ka një kosto të madhe ekonomike dhe kjo është një sëmundje e ëmbël vetëm në emër, pasi në të vërtetë është farmak për komplikimet që ajo krijon. Ajo që duam të sqarojmë është se diabeti shkakton dëmtime të shumta, në disa organe dhe mekanizma truporë dhe jo në një të vetëm. Përse është shtuar? Për të shpjeguar këtë duhet të kuptohet se ka dy faktorë, predispozita gjenetike dhe stili i jetesës”.

Cilat janë moshat dhe kategoritë më të prekura nga diabeti dhe si mund të mbrohemi nga kjo sëmundje. Mjeku vazhdon shpjegimin e tij: “Mosha më e prekur? Diabetikët klasikë janë mbi moshën 40 vjeç, kur nisin shfaqet problemet e para, diabeti është problem më i mprehtë. Por, sëmundja kap edhe moshat e treta,  por mjerisht shihet edhe një edhe shtim i frekuencës në moshat e fëmijëve, kjo më shumë për mënyrën e të ushqyerit. Ka dy lloj diabetesh, i llojit të parë apo të dytë. i pari është kur pankreasi është i dëmtuar dhe nuk është në gjendje të prodhojë sasinë e duhur të insulinës. Këta pacientë duhet të trajtohen me insulinë gjatë të gjithë jetës. Rasti i dytë është kur insulina prodhohet, por nuk ka cilësinë e duhur dhe nuk ndikon si duhet tek organet, duke sjellë rritjen e nivelit të sheqerit. Ky rast zakonisht shkaktohet nga stili i jetesës dhe i të ngrënit. Fatkeqësisht, po vërehen gjithmonë e më shumë raste të tilla edhe tek grupmosha e fëmijëve dhe kjo nuk është e zakontë”.

E prekura nga diabeti: Si u përballa me sëmundjen

Sonila Kapidani, një grua në karrierë, tregoi momentin e parë tronditës të përballjes me  sëmundjen, me të cilën ajo tashmë bashkëjeton prej më shumë se tre vitesh. “E vërteta është se i kisha patur të gjitha shenjat e diabetit, por ia vija fajin ngarkesës së punës dhe mendoja se ishte lodhja e stresi ato që kishin sjellë atë ndryshim dhe dobësim”, rrëfëu Kapidani.

“Faktikisht, shenjat ishin të gjitha, duke nisur nga dhembje koke, urinim i shpeshtë, dobësim, etje gjatë të gjithës kohës, ndërsa pija ujë në mënyrë jo të zakonshme dhe s’kisha as fuqi të ecja dhe në momentet kur bëra analizën më thanë se si qëndron në këmbë, pasi duhet të kisha kaluar në koma. E vërteta është se në muajin e fundit u rëndova shumë dhe besoj nuk mund të most a kuptosh që je i prekur. i bëj thirrje të gjithë atyre që kanë këto shenja të mos neglizhojnë, pasi unë personalisht shkova deri atje sa të rrezikoja jetën”.

Çfarë është diabeti?

Diabeti është një semundje që karakterizohet nga nivel i lartë i sheqerit në gjak. Ky nivel i lartë glukoze është i shkaktuar nga paftësia e organizmit për të përdorur insulinën e vet për të tretur sheqerin.

Për rrjedhojë sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme si etja, shtimi oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe perqëndrimit dhe në përgjithësi një dobësi e trupore.

Përgjithsisht besohet se faktorët kryesorë që çojnë ne diabet janë : gjenet e predispozuara, kequshqyerja, mungesë e aktiviteti fizik apo mbipesha. Rrallë ndonjë sëmundje tjetër në dukje kaq “e butë” krijon ndërlikime kaq të shumta e të rënda sa diabeti.

Ai arrin të prekë e të dëmtojë aq heshtazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore te trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjaku, por edhe sytë, zemrën madje edhe trurin duke krijuar probleme kaq dramatike e madje tragjike.

Në vitin 2006 në të gjithë botën llogariteshin rreth 264 milion persona me diabet, me parashikimin që ky numër në vitin 2025 do arrijë 380 milion. Në këto kushte diabeti konsiderohet një sëmundje epidemike që po evoluon paralel me mbipeshën apo obezitetin.

Ndikimet e diabetit janë të shumta. i konsiderueshëm është ndikimi biologjik që lidhet me jetëgjatësinë. Po ashtu ndikim të madh ka edhe në aspektin social, profesional dhe familjar.

Një nga problemet kryesore që përballen njerëzit e sëmurë me diabet është kostoja ekonomike shumë e madhe që nevojitet për kurimin. Diabeti duket se po përparon me shpejtësi edhe në vendin tonë. Sipas raporteve të endokrinologëve mund të llogaritet rreth 5% e popullsisë me diabet. Por, për shkak të mungesës së kontrolleve shëndetësore ky numër mund te jetë edhe më i lartë.

Top Channel