Dy javë më parë, Shqipëria zgjodhi presidentin e gjashtë të periudhës demokratike dhe të 11 në historinë e 100 viteve të vendit si shtet i pavarur.

Ndërkohë që secila prej palëve politike bën “bilancin e luftës”, sa ka fituar dhe sa ka humbur në këtë proces, në studion e “Top Story” mbërriti ditën e enjte fituesi i vetëm i një loje politike që mbërtheu vendin për thuajse dy muaj.

Bujar Nishani, njeriu që do të zëvendësojë Bamir Topin në detyrën e kreut të shtetit një muaj më pas, iu përgjigj pyetjeve të Sokol Ballës në intervistën e parë eksluzive që prej zgjedhjes në detyrën më të lartë në vend.

Sokol Balla – Zoti President i zgjedhur, kur u futët në këtë studio u përballët me shumë entuziasëm nga publiku. Pavarësisht debateve në momentin e zgjedhjes dhe paszgjedhjes suaj, tek njerëzit keni përcjellë një pritshmëri pozitive. Pas dhjetë ditësh, ç’mund të thoni për gjendjen tuaj emocionale për detyrën?
Presidenti Nishani – Askush nuk mund të pretendojë që nuk pati emocione, pas arritjes së vlerësimit më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetën e tij. Ky është momenti i parë, por pastaj është momenti i përgjegjësisë. Jam surprizuar nga mbështetja që kam patur, por kjo rrit nivelin e përgjeshmërisë, sepse përtej dashamirësisë, është pritshmëria e madhe e qytetarëve dhe aktorëve të jetës publike ndaj meje.

Sokol Balla – Gjatë këtij procesi të zgjatur, kandidatët kaluan në një sitë të imët të opinionit publik, duke nisur nga pamja, e kaluara e largët dhe e afërt. Kësaj nuk i keni shpëtuar as ju dhe ka patur shumë spekulime në lidhje me historikun e sëmundjes suaj.
Presidenti Nishani – Është krejt e kuptueshme që të ketë një interes të tillë kur bëhet fjalë për Presidentin e Republikës, nga opionini, qytetarët dhe aktorët e ndryshëm të shoqërisë. Unë besoj se ka qenë një histori krejt njerëzore, që mund t’i ndodhë kujto, që unë kam pasur një difekt nga lindja të enve të gjakut, ndonëse nuk kisha pasur shqetësime më parë, por një ditë dha shenjën e saj. Fatmirësisht, një njeri i shquar në fushën e mjekësisë, në ato ditët e para më tha një fjalë të mençur, që njeriu është me fat kur sëmundja i jep shenjë. Unë pata disa shenja, që u konsultova me mjekët, kreva rezonancën manjetike dhe profesor Petrela, në mënyrë profesionale identifikoi saktësisht problemin tim. Natyrisht, për shkak të vendit shumë delikat të kësaj pjese të trupit, truri, bllokimi i vazove të enëve të gjakut sillte një potencial rreziku për të ardhmen dhe pas disa konsultash me një grup neokirurgësh, më dhanë dy alternatvia, mund ta lija dhe të përballesha me një rrezik që do të shtohej me kalimin e viteve, por më rekomanduan ta hiqja sa isha i ri dhe mund të përballoja operacionin, ndonëse ndërhyrja ishte delikate. Edhe sot se kuptoj një qetësi dhe forcë e brendshme nga më lindi dhe vendosa të ndërhyja.

Sokol Balla – Megjithatë, momenti i zbulimit të sëmundjes duhet të ketë qenë traumatik për ju, ashtu siç do të kishte qenë për çdo njeri.
Presidenti Nishani – Momenti i parë i zbulimit ishte pak tronditës nga pikëpamja njerëzore, por duke qenë se diagnoza ishte një ndër diagnozat më shpesh të ndeshura në këtë organ, unë vendosa ta kryeja ndërhyrjen. Kam vendosur gjithmonë në jetën time duke parë perspektivën, ndaj vendosa ta kryej ndërhyrjen, e cila ishte krejt normale. Operacioni u krye në Finlandë, pasi atje ishte një profesor i specializuar për këto ndërhyrje dhe natyrisht pata një paralajmërim që do të kisha një paralizim dhe mpirje të pjesshme të këmbës dhe krahut të majtë, diçka që do të rikuperohet vit pas viti. Fatmirësisht, operacioni shkoi mirë dhe isha në gjendje t’i rikthehesha detyrës sime si ministër i Brendshëm brenda tre javësh.

Sokol Balla – Sa ka ndryshuar jeta juaj pas operacionit?
Presidenti Nishani – Më ka ndihmuar në dy gjëra që i kisha neglizhuar më parë. Në radhë të pare, në ushtrimin e fiskulturës dhe sportit, pasi tashmë merrem çdo ditë me not. Së dyti, më ka ndihmuar që të jem shumë më korrekt në jetën time të përditshme, për t’I dhënë më shumë rëndësi pushimit, punës dhe rehabilitimit, duke ndjekur orare strikte.

Sokol Balla – Pas operacionit, a ndryshoi diçka në punën tuaj?
Presidenti Nishani – Ishte një periudhë e ngarkuar, u riktheva në periudhën e zgjedhjeve të 2009-s. Detyra e ministrit kërkonte edhe më shumë përgjegjësi në atë moment, duke nisur nga regjistri elektronik i shtetasve, më pas procesi i nisur dhe i realizuar me sukses i kartave dhe pasaportave biometrike, që kërkonin impenjim shumë të madh. ishte një angazhim i parë i shtetit në këto drejtime dhe më pas, me zjedhjet e 2009-s, ku roli i Ministrisë u vlerësua nga të gjithë aktorët kombëtare dhe ndërkombëtarë. Më pas kalova në Ministrinë e Drejtësisë, ku mora një përvojë e rëndësishme dhe të bukur, me sfida të ndryshme, të lidhura me procesin e të drejtës së qytetarit, sfida që mund të jenë shumë të vyera në detyrën time si kreu i shtetit.

Sokol Balla – Në shtyp ka patur shumë përfolje në lidhje me pasjen e një presidenti me kufizime fizike, duke pasur parasysh edhe rolin e kreut të shtetit, që na përfaqëson të gjithëve. Megjithatë, është përfolur shumë që ditën e zgjedhjes suaj si president, ka patur komunikim me mesazhe mes Arvizus dhe liderit të mazhorancës e më pas ka pasur edhe një tjetër mesazh, që ju jepte mbështetje para se të zgjidheshit.
Presidenti Nishani –  Në fakt, unë do të desha të shtoj se në aspektin e asaj që kuptohet me kufizim fizik, unë s’kam pasur asnjë të tillë në ushtrimin e detyrës. Kam një ngadalësim në lëvizje, por besoj se është e rëndësishme të thuhet që në një vend normal demokratik, është e drejta e opinionit të mësojë se cila është gjendja shëndetësore e kreut të shtetit, në mënyrë që vendimet e tij të jenë të përgjegjshme dhe të marra në një gjendje të kthjellët mendore. Për këtë arsye, rikonfirmoj se nuk kam asnjë pengesë fizike, që të kompromentojë ushtrimin e detyrës si president. Përsa i takon mesazheve, natyrisht që ato mbeten pjesë e komunikimit individual, por gjithsesi nuk besoj se ka ndonjë sekret të madh. E vërteta është që pasi zyrtarisht nga kreu i grupit parlamentar të PD, Zoti Patozi, u bë e ditur tërheqja e ish-kandidatit Artan Hoxha dhe kandidatura e maxhorancës do të isha unë, pati një fluks apo tentativa për të treguar se po vjen një njeri me probleme të rënda shëndetësore, që nuk dihet se do të mbajë postin. Nuk i kam identifikuar dhe s’kam pasur asnjë interes të zbuloj se nga vinin këto spekulime, por ato besoj se iu drejtuan deputetëve për të dekurajuar votën e tyre dhe iu adresuan edhe trupit diplomatic. Ambasadori Arvizu, si përfaqësues i një vendi aleat dhe partner me Shqipërinë, i SHBA-së, u përfshi në një bisedë të shkurtër dhe mora prej tij një mesazh tepër njerëzor që më ofronte fat të mbarë. Një “Good Luck” i zakonshëm dhe tejet njerëzor.

Sokol Balla – Zoti President, ju morët 73 vota, por a ishte e gjithë PD pas kandidtimit tuaj?
Presidenti Nishani – Jo vetëm që ka qenë mbështetje, por mua më ka bërë një përshtypje njerëzore entuziasmi kur u kalua në votën e 71. Pashë në sallë nga kolegët e mi deputetë një reagim përtej atij zyrtar dhe miqësor, por për herë të parë sot me ju, në mënyrë instiktive, ndaj se u përpoqa të shoh deputetët e opozitës dhe pashë një qëndrim njerëzor, jo entuziasëm, por një qëndrim dinjitoz i atyre që ishin në sallë.

Sokol Balla – A jeni i sigurt që entuziasmi i PD-së nuk lidhet me faktin që u shmangën zgjedhjet e parakohshme?
Presidenti Nishani – Mund të ketë hamendësime të tilla. Pavarësisht se kishte një raund, asgjë nuk përjashtohej në raste të tilla dhe ky është fakt, por besojs e ka patur një komunikim të hapur edhe kur u përgatitëm të votonim kandidaturat e tjera. Ne jemi mbledhur si grup parlamentar edhe përpara se të shkonim në seancë përpara Hoshës dhe ka qenë i njëjti komunikim i kryeministrit, për të kërkuar kompaktësi grupi, pa shantazh, e duke parashtruar krejt procedurën që do të ndiqnim. Pa dyshim, Zoti Berisha kreu një detyrë të tij të natyrshme, duke kërkuar që të mos kishte rrjedhje votash nga grupi i Partisë Demokratike.

Sokol Balla – Zgjedhja juaj u bë me një votë kundër dhe dy abstenime. Dule abstentoi publikisht. Mendoni se vota kundër mund të ketë qenë nga Zoti Oketa apo nga ndonjë anëtar tjetër brenda mazhorancës?
Presidenti Nishani – Ajo ka qenë një votë e fshehtë dhe nuk e gjykoj. Vota ishte e fshehtë dhe procesi ishte një votim i fshehtë, por ajo që dua të nënvizoj është se kur u nisa në sallën e Parlamentit, mora urime nga shumë kolegë nga të dy anët e spektrit politik.

Sokol Balla – Bode, Zaganjori, Hoxha. Kur përmendeshin si emra në debat publik, shiheshin si emra të preferuar nga palë dhe klane të ndryshme brenda PD. Bujar Nishani, këtë e dinë të gjithë, nuk rreshtohet në asnjë nga grupet e përfolura brenda partisë. Por, kjo ju identifikon si një zgjedhje direkte të kryetarit të PD-së. Pra ju nuk jeni në grupin Bode, Basha, Topalli, etj. Kjo në opinion mund të rrisë skepticizmin, duke ju identifikuar si një njeri i barazpeshuar, por besnik i qeverisë.
Presidenti Nishani – Së pari ju garantoj ju dhe opinionin publik se unë në mënyrë shumë të sinqertë, nuk shoh ndonjë grupim brenda grupit parlamentar të PD-së. Natyrisht, çdo anëtar i kryesisë, drejtuesve, ka individualitetin e tij dhe kjo është normale.
Së dyti, natyrisht që secili prej emrave që përmendët, në gjykimin tim do të kishte qenë një zgjedhje shumë e mirë për President Republike dhe do të kishte ushtruar në mënyrë të shkëlqyer detyrën. Sa i takon përzgjedhjes dhe ndikimit të kryetarit, ai është një zë i fortë në parti, është zgjedhur për të qenë kryetar, ka marrë mandatin për të qenë përfaqësues i parties dhe ushtron detyrën e tij, me një reputacion të padiskutueshëm brenda PD-së.
Sa i takon besnikërisë, po, unë kam qenë besnik i parimeve të cilat unë i kam besuar dhe i kam menduar se reflektoheshin tek Partia Demokratike, siç beson një anëtar i Partisë Socialiste tek vlerat që ajo përfaqëson.
Unë kam qenë një besnik i objektivave të qeverisë, kam qenë besnik i përpjekjeve për t’i realizuar ato objektiva normale, transpatente, etj.  Jam besnik i interesave që besoja se përfaqësonte kjo qeveri në interes të vendit e qeverisë. Tashmë, gjërat ndryshojnë pasi Presidenti nuk i përket PD-së, por duhet të jetë besnik i parimeve dhe frymës së kushtetutës. Unë besoj se duke pasur një provë të besnikërisë ndaj partimeve pozitive, është një garanci që do të jem besnik i parimeve që përfaqëson Presidenti, duke mbizotëruar të gjithë angazhimet e mëparshme.

Sokol Balla – Thatë që do të jeni një President me gërmë e
frymë. Ju u zgjodhët Presient pikërisht me gërmë të kushtetutës me shumicë
minimale. A do të jeni ju një noter i Berishës, siç vlerëson opozita dhe një
pjesë e opinionit publik? Pra, a do të jeni një president komod për Berishën,
siç paralajmëroi Arvizu dy ditë para zgjedhjes apo do të jeni një burrë shteti?

Presidenti Nishani – Është një sfidë e madhe për këdo që në pozicionin e Presidentit
të ofrojë pritshmërinë e opinionin publik, por edhe grupe interesi brenda shoqërisë.
E vërteta është që u zgjodha sipas gërmës, por kam besuar dhe besoj fort se
integriteti dhe detyra tregohet kur merr detyrën. S’mund të gjykohesh si President
duke qenë ministër i Brendshëm, por në momentin kur nis të ushtrosh këtë detyrë,
e rëndësishme është sa respekton kushtetutën apo interesat e vendit. Nga momenti
që merr këtë detyrë je në sfidë dhe mendoj se për këdo do të ishte një sfidë,
por në këtë kontekts, është një sfidë e shtuar për mua, për pritshmërinë që kam
krijuar. Pa dyshim, mund të zgjidhesh nga mazhoranca dhe të bëhesh president i interesave
të të gjithë vendit, siç mund të ndodhë edhe e kundërta. Sfida me kohën do të
jetë prova më e mirë, por ju garantoj se zyra e Presidentit do të jetë e hapur
për të gjithë shqiptarët.


Sokol Balla – Ekziston një zë, që thotë se zgjedhja juaj është një masë e përkohshme
dhe në varësi të rezultatit të 2013, mund të sjellë dorëheqjen tuaj dhe
rizgjedhjen e një kreu të ri nga PD. Ju si i përgjigjeni këtyre spekulimeve?

Presidenti Nishani – Ka patur shumë hamendësime në këto ditë që pas zgjedhjes
sime. Unë jam zgjedhur president për një mandat 5-vjecar si e parashikon
kushtetuta. Kam treguar që ndeshem me sfida dhe do të besoj që do ta realizoj
me atë ndershmëri që opinioni publik pret nga Bujar Nishani deri në ditën e
fundit të mandatit detyrën time. Nuk ka asnjë lloj lidhje me zgjedhjet e 2013-s,
uroj të zgjedhin fitues atë maxhorancë që shqiptarët besojnë dhe vlerësojnë më
shumë, por s’ka lidhje me detyrën, zgjedhjen dhe funksionimin në këtë detyrë.
Do të qëndroj denjësisht deri ditën e fundit.


Sokol Balla – Kushtetuta përcakton qartë arsyet e dorëheqjes së mundshme të një
presidenti dhe një prej tyre është ajo për arsye fizike. A besoni se mund të përdoret
kjo klauzolë kundër jush në të ardhmen?

Presidenti Nishani – Në çdo rast që do të jem në shkelje të kushtetutës, pa dyshim
që jap dorëheqjen. Megjithatë, nuk kam ndonjë pritshmëri për të besuar që unë
do të mbërrij në këtë moment, natyrisht përsa i takon jetës dhe shëndetit
vendos vetëm Zoti për ne, por përsa i takon integritetit tim, do ta çoj deri në
fund të mandatin.


Sokol Balla – Por, nuk besoni se ndonjë palë politike mund ta përdorë këtë pikë
nëse nuk do të ndihet komod me ju?

Presidenti Nishani – Mund ta përdorë, por unë s’kam asnjë kompleks dhe nuk
trembem.

Sokol Balla: Shkollimi juaj…

Presidenti Nishani: Nga 1980-1988 kam kryer akademinë ushtarake, më pas jam diplomuar në drejtësi si jurist. Shkollimi bazë ka qenë arsimi ushtarak që ka shërbyer për formimin e karakterit tim.

Sokol Balla: Jeni përfolur për faktin se keni qenë të përfshirë në të ashtuquajturin grusht të Shkollës Skënderbej pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në ato vite.

Presidenti Nishani: Kam qenë pedagog shumë i ri. E vërtetë, unë kam qenë aktiv, por në krahun e kundërt, për hir të së vërtetës. Jam identifikuar si njeri pranë Partisë Demokratike që po lindte, dhe kjo ka qenë një kosto në disa vite të mëvonshme. Pikërisht në ‘97 unë punoja në Ministrinë e Mbrojtjes, pas ndryshimit të qeverisjes, në Ministrinë e Mbrojtjes erdhën në detyra shumë të larta disa drejtues të shkollës së bashkuar të cilët nuk mund të pranonin pozicionin tim në atë detyrë shumë të rëndësishme dhe me larguan nga detyra e banesa e ushtarakëve.

Sokol Balla: Është përfolur se për shkak të angazhimit tuaj në këto ngjarje, keni ndryshuar edhe mbiemrin pas tyre.

Presidenti Nishani: Historia e mbiemrit daton para Luftës së Dytë Botërore. Familja ime është me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës ku ka patur disa prona dhe toka, aktivitet tregtar. Janë larguar pas luftës dhe janë vendosur në Durrës ku jam lindur e rritur. Me kalimin e kohës e kanë ndryshuar mbiemrin e kanë bërë atë Nishani. Më pas ka patur nga ata që kanë mbajtur mbiemrin Mehmeti, për nder të stërgjyshit, ne mbajtëm Nishani për shkak të një shenjë që ka patur gjyshi im. Historia e mbiemrit nis që kur kam fituar të drejtën për të studiuar në shkollën Skënderbej. Në Këshllin e Lagjes, asokohe njihesha me mbiemrin Mehmeti, ndërsa në gjendjen civile e kisha Nishani.Mbiemri nuk ka lidhje me asnjë tentativë.

Sokol Balla: Keni lidhje me presidentin Omer Nishani?

Presidenti Nishani: Përvec mbiemrit dhe faktit që është nga Gjirokastra, asgjë tjetër.

Sokol Balla: Mendoni që kishte ardhur koha që jugu të kishte presidentin e tij?

Bujar Nishani: Nuk ka ndasi krahinore. Unë jam krenar për origjinën time, por besoj që nuk ka vend në Shqipëri për të identifikuar përkatësinë. E rëndësishme është që një President Republike të ndjejë në qënien e tij si përfaqësues i qytetarëve.

Sokol Balla: Përfiltet se bashkëshortja juaj është Zonja e Parë më e pasur. Sa e pasur është familja juaj, sa i pasur është Nishani?

Presidenti Nishani: Ekonomia e familjes ka qenë e mirë, por është e ekzagjeruar të thuhet më e pasura. Pasurinë e kemi trashëfuar kryesisht nga disa prona të përfituara nga familja e bashkëshortes sime. Familja e bashkëshortes vjen nga Gjakova, por e vendosur shpejt në Durrës, e njohur në tregti dhe biznese si dhe në fushën e ndërtimit. Kemi rimarrë disa prona pas viteve ‘90.

Sokol Balla: Thatë që në ‘97 ju përzunë nga puna dhe banesa e përkoheshmë socialistët, a është një paralajmërim ky për një qendrim jokomod ndaj PS?

Presidenti Nishani: Jo sepse nuk ka qenë një qendrim zyrtar i PS, por i disa personave që vetë PS i largoi më vonë. Kur ka ardhur në Ministrinë e Mbrojtjes zoti Hajdaraga nga stafi i Ministrisë së Mbrotjes jam ftuar të rikthehm në detyrë, por nuk pranova sepse kisha nisur angazhimet e mia politike.

Sokol Balla: Paragjykimi s’ka lidhje me ju, por me zgjedhjen e njëanëshme në raundin e katërt. Mendoni se është e mjaftueshme për të bashkëjetuar institutucionet?

Presidenti Nishani: Unë gjykoj se nuk është e vështirë nëse je i qartë, korrekt dhe institucional në sjelljen tënde zyrtare dhe njerëzore dhe unë i besoj këtyre parimeve. Do të jem besnik i këtyre parimeve.

Sokol Balla: Një pyetje nga shikuesit, a jeni larguar nga PD?

Presidenti Nishani: Zyrtarisht e kam dorëzuar kërkesën time për t’u larguar nga Partia Demokratike

Sokol Balla: Një pyetje nga një shikues nga Berati që thotë se në cilën datë dhe ku do të festosh Ditën e Clirimit?

Presidenti Nishani: Presidenti do ta festojë Ditën e Çlirimit të vendit sipas asaj  që përcaktohet në protokollin e shtetit. Njeriu duhet të jetë i hapur dhe i drejtpërdrejtë, përsa kohë ligji përcakton 29 Nëntorin, s’ka pse mos festohet kjo datë. Do të respektohet pjesa protokollare sipas ligjit.

Sokol Balla: Zoti Nano shpalli një platformë se si do të ushtronte detyrën e Presidentit. Ju u kapët disi në  befasi. Ndikon kjo në detyrën tuaj?

Presidenti Nishani: Bëra një analizë brenda vetes kur kryetarët më komunikuan vendimin për kandidim. Kam besuar tek ajo cka kam arritur të përfitoj si eksperiencë në këto vite që kam qenë në detyra të rëndësishme dhe të vlerësuar shtetërore, kam  besuar tek vlerat e qytetarëve, besoj se i kam kuptuar dhe e di se cfarë qytetarët duan nga presidenti, presin nga presidenti, kërkojnë të shohin. Kjo më ka bërë të jem besues dhe i qartë në atë përgjigje që kam dhënë, natyrisht edhe më pas.

Sokol Balla: Pasi t’ju dorëzohet zyra…

Presidenti Nishani: Kam menduar që në ditën e parë puna të vazhdojë normalisht, pa ndërprerje dhe për këtë po organizoj dhe përgatis një grup të tranzitimit të administratës në komunikim me administratën aktuale të zotit Topi, që ne të njihemi me puënn dhe prioritetet në mënyrë që puna në presidencë të vijojë pa ndërprerje.

Sokol Balla:  Cilat do të jenë sfidat kryesore?

Presidenti Nishani: Kompetencat e presidentit janë të përcaktuara në Kushteutë. Unë e kam perceptuar se sfida kryesore është angazhimi dhe kontributi i Presidenitt në sistemin e drejtësisë, një nga fushat më të rnëdësishmë për jetën e qytetarit në këtë vend. Ka një rol presidenti për të luajtur në fushën e reformave të sistemtit të drejtësisë. S’e bën dot i vetëm, mund ta bëjë duke bashkëpunuar me profesionistët e kësaj fushe dhe me institucionet e tjera, kryesisht parlamentin, KLD që përfaqëson drejpërdrejt gjyqtarët e Shqipërisë, me ekspertët shumëvjecare në këtë fushë. Besoj se ne do t’i ofrojmë drejtësisë në aspektin e vlerësimit personalitete me integritet moral e profesional. Jam i bindur që do të bëjmë një punë që do të vlerësohet nga qytetarët. Kjo është sfida jonë kryesore.

Sokola Balla: Në tryezë do të gjeni një mal me dosje për shkak edhe të situatës konfliktuale mes qeverisë dhe presidentit aktual në 2 vitet fundit. Ka një krizë, moszgjedhja e anëtarëve në Gjykatën e Lartë dhe ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë…

Presidenti Nishani: Bashkëpunimi me Kuvendin është njëri nga momentet më të rëndëishëm të punës sime,  i rëndësishëm sepse palët janë të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë dhe unë do të jem shumë korrekt në atë cfarë parashikon Kushtetua. Në rastin e propozimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetese do jetë një bashkërendim dhe konsultë e vazhdueshme me Kuvendin e Shqipërisë dhe palët në Kuvend, për t’i dhënë zgjidhje më pozitive dhe më të mirë cështjeve që na ngarkon Kushtetuta, zgjedhja dhe dërgimi në trupën gjyqësore më të lartë të vendit, në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Besoj që reforma dhe sistemi gjyqësor rregullohet në funksionim nga lart poshtë dhe Gjykata e Lartë ka një rol kyç dhe përzgjedhja e anëtarëve të saj ka një rol kyç. Bashkëpunimi me Kuvendin është i rëndësishëm dhe jam i bindur edhe i frytshëm.

Sokol Balla: A përputhet mendimi juaj me shqetësimin për këtë gjykatë, për mënyrën se si ka funksionuar ajo? Vendimmarrja e Gjykatës së Lartë në 3-4 vitet e fundit është shoqëruar me një skepticizëm të lartë dhe ka patur një debat mbi mënyrën e përzgjedhjes së saj. Spahiu në këtë studio ka deklaruar se rruga më e mirë është reformimi dhe vendosja e kontrollit të saj nga KLD…

Presidenti Nishani: Kemi një sistem dhe nuk është nevoja të gjejmë modele të reja. Unë kam patur eksperiencë në KLD kur isha Ministër i Drejtësisë, përbërja e KLD është nga gjyqtarë që vijnë nga gjyqësori i shkallës së parë dhe apelit dhe kjo do të kishte një kundërshtim të fortë me ligjin që gjyqtarë të shkallës së parë dhe apelit të kontrollonin Gjykatën e Lartë. Përzgjedhja është moment i rendësishëm që kanë rol Presidenti dhe Kuvendi, më pas Gjykata e Lartë është tërësisht e pavarur. E rëndëishme është që në momentin kur përzgjidhen, Presidenti dhe Kuvendi kanë të gjitha shanset që të përzgjedhin njerëzit e duhur.

Sokol Balla: Konsultat me Kuvendin, rol prioritar mazhorancës apo rol edhe opozita?

Presidenti Nishani: Të gjitha palët e përfaqësuara në parlament.

Sokol Balla: Përfaqësuesit, diplomatët në vendet e tjera, është turp që nuk kemi ende një diplomat në Londër…

Presidenti Nishani:
Nuk e di arsyet e kësaj situate, por do të marrin zgjidhje shumë shpejt pasi diplomacia është një fushë e rëndësishme për imazhin e vendit.

Sokol Balla: Mendoni që Shqipëria do ta marrë statusin nisur nga zgjedhja e presidentit, pa konsensus, megjithëse nuk është kriter i Brukselit?

Presidenti Nishani:
Do të ishte një gjë shumë e mirë që presidenti të zgjidhej me konsensus, por sa i takon cështjes së statusit, jam optimist sepse kam qenë brenda proceseve gjatë gjithë kësaj kohe. Ministër i Drejtësi dhe Ministër Brendshëm, si anëtar i parlamentit, e dyta është që Shqipëria do të marrë statusin nëse e meriton, mbi bazën e meritës. Për të përcaktuar këtë meritë, procesi ka hyrë në një rrugën e hapave konkretë, angazhimesh dhe vlerësimi. Kemi patur një angazhim të të gjitha palëve, nga parlamenti e deri tek të gjitha institucionet e tjera. Ky plan veprimi po ecën në mënryë korrekte. Avantazhi shumë i madh që ka Shqipëria është vullneti i shprehur nga shqiptarë në mazhorancë të madhe për anëtarësim në BE. Shqiptarët përfitojnë shumë nga hyrja në BE, si standardet e institucioneve. Shqipëria e meriton, shqiptarët janë të angazhuar, klasa politike po tregon një angazhim real, për të mirën e të gjithëve Shqipëria do të marrë Statusin.

Sokol Balla: Diplomacia, do ta ekzekutoni këtë pozicion me kohë të plotë apo do t’ia lini këtë fushë Ministrit të Jashtëm dhe Kryetares së Kuvendit?

Presidenti Nishani: Presidenti nuk ka dinamikë ekzekutive dhe diplomaci aktive në sistemin tonë, Presidenti do të jetë tërësisht në mbështetje të të gjitha aktorëve që përbëjnë politikën e jashtme. Politika e jashtme ka një përputhshmëri totale mes partive politike gjatë gjithë kohës, kjo është një pjekuri shumë e madhe e klasës politike.

Sokol Balla: Raportet tuaja me Topallin?

Presidenti Nishani:  Jashtëzakonisht të mira. Topalli ka qenë një mbështetëse e fortë e karrierës sime politike, e pozicioneve që më janë dhënë në PD dhe qeveri, ka qenë një mbështetëse e imja. Unë do ta kisha votuar zonjën Topalli për Presidente, por këtu nuk ka asnjë hapësirë për të aluduar sepse detyrat janë qartazi të ndara dhe të balancuara dhe besoj që e mira e vendit është bashkëpunimi me forcat parlamentare, qeverinë, opozitën. Ne s’kemi pse krijojmë konflikte të pavenda, por duke ofruar bashkëpunim, të krijojmë një ambient normal dhe të paqtë nga pikëpamja qytetare. Cështja e konkurencës mes partive politike është pjesë e demokracisë. Pjesa tjetër u takon institucioneve që duhet t’u sjellim transparencë.

Sokol Balla: Zgjedhja e Prokurorit shihet si provë e integritetit të presidentit të ardhshëm. Do ta lini këtë proces në dorë të partive apo keni ndërmend një proces konsultimesh me të gjitha palët?

Presidenti Nishani:
Nuk dua të flas për kompetencat përsa kohë e kemi presidentin në detyrë. Ne kemi Prokuroren e Përgjithshme në krye të detyrës në përputhje të mandatit të parë. Emri i Prokurorit të Përgjithshëm është kompetencë e Presidentit dhe ai do të bëjë propozimin në momentin e duhur. Konsultimet do të jenë pjesë e rëndësishme para se të vijmë tek emri me partitë parlamentare që të arrijmë në emrin më të përshtatshëm. Besoj që prokuroria e shtetit ka nevojë për të përmirësuar shumë punën.

Sokol Balla: Keni qenë Ministër i Brendshëm, post që keni marrë pas largimit të Bashës. A keni patur një qendrim personal politik lidhur me krizën e ndalimit të 6 gardistëve pas 21 janarit?

Presidenti Nishani: Unë kam patur qendrimet e mia krejt të hapura, cdo qendrim i imi ka qenë dhe mbetet në përputhje me c’përcaktojnë ligjet vendase. Koha shkatërroi cdo aludim sepse u tregua që personat nën akuzë nuk krijuan shqetësimin për t’i ikur drejtësisë. Besoj që integriteti i shtetit duhet ruajtur brenda Kushtetutës dhe ligjeve që ne kemi.

Sokol Balla: Për 21 Janarin, cfarë do kishit bërë ndryshe nga paraardhësi?

Presidenti Nishani: Çdo Ministër i Brendshëm s’do të kishte mundësi të bënte as më shumë e as më pak sepse që nga 2007, Policia e Shtetit është hequr nga përgjegjësia e ministrit. Ministri nuk jep dot urdhëra operacionalë.

Sokol Balla: Po për 21 Janari, çfarë do bënit ndryshe nga presidenti aktual?

Presidenti Nishani: Ka dy momente,e  drejta e tubimit dhe e protestës është e drejtë kushtetuese dhe duhet garantuar dhe respektuar, dhe e dyta sulmi ndaj institucioneve të vendit është i papranueshëm dhe i papranushëm në cdo rast. Ka patur momente kur presidenti mund të jepte mesazhe qetësuese pasi cdo veprimtari në dëm të imazhit të shtetit është një dëm i madh për ne. Jemi në një moment kur Shqipëria ka nevojë për qetësi, ballafaqim alternativash dhe funksionim institucionesh. Shteti dhe institucionet që janë imazh i shtetit, të qytetarëve dhe një moment delikat mbetet në memorien e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve për shumë kohë, ndaj duhet të jemi korrekt me institucionet e shtetit.

Sokol Balla: I’u referuat një raporti vëzhgimi pozitiv holandez, për 21 Janarin. Por ama ka edhe dy qendrime të ndryshme, qendrimi i kryeministrit Berisha që e quante puç shteti dhe ndërkombëtarët që nuk e kanë quajtur të tillë. Ju si e vlerësoni?

Presidenti Nishani: E quaj të papranueshëm sulmin e dhunshëm ndaj institucionet të vendit. Besoj që institucionet e shtetit, janë imazhi i vendit tim, cdo goditje cdo sulm ndaj institucioneve është i papranueshëm dhe gjithmonë i papranueshëm për mua.

Sokol Balla: Bahri Shaqiri është në krye të SHISH, cili do të jetë fati i tij pas marrjes së detyrës prej jush?

Presidenti Nishani: Do të varet tek aspekti profesional, korrektesa dhe përmbushja e detyrës. Zoti Shaqiri është në krye të një institucioni shumë të rëndësishëm, por mund të flas për aq sa kam bashkëpunuar me SHISH kur kam qenë Ministër i Brendshëm, një marrëdhënie institucionale dhe korrekte.

Sokol Balla: Ndërkombëtarët duket se do të ndjekin me vëmendje rifreskimin e prokurorisë, SHISH dhe anëtarëve të gjykatave …shumë e quajtën darkën tek Sofra e Ariut si festim i pushtimti të institucioneve.

Presidenti Nishani: Ne kemi krijuar një siguresë të mirë përmes legjilacionit, ndërsa sa për darkën ajo është traditë shqiptare. Unë e vlerësoj sepse nuk ka qenë iniciativë e imja e drejpërdrejtë, për një darkë me të gjithë deputetët që morën pjesë në zgjedhjen e Presidentit të Republikës, por nuk ka të bëjë me qendrimin. Mirënjohja nuk ka pse keqinterpretohet dhe keqpërdoret.

Sokol Balla:  A duhet t’ju besojë publiku që do të jeni një President i të gjithëve?

Presidenti Nishani: Kjo është sfidë e imja, deklaratat janë deklarata, është aktiviteti konkret ai që do të vendosë dhe opinioni publik është vëzhguesi më i mirë dhe gjyqtari më i drejpërdrejtë për secilin prej nesh. E kam ndjerë që publiku ka një pritshmëri shumë të madhe ndaj meje dhe ndonjëherë paragjykimet nuk ka pse keqkuptohen.

Sokol Balla: Ambiciet e tua në 2017?

Presidenti Nishani: E shoh Presidentin e Repulikës si përfundimin e një karriere të suksesshme politike. Nuk kam menduar asnjëherë dhe nuk kam evidentuar ambicie pas presidentit.Shoqëria është e hapur ka vend për të gjithë.

Sokol Balla: E përjashtoni mundësinë për një karrierë politike?

Presidenti Nishani: Momenti i zgjedhjes në postin e Presidentit të Republikës është përfundim, por aktiviteti politik mund të mbetet brenda sferës së shoqërisë civile dhe instituteve. Nuk shoh një angazhim të drejpërdrejtë në politikë pas përfundimit të mandatit të Presidentit.

Sokol Balla: Jeni i njohur si person me raporte me Presidentin Bamir Topi…

Presidenti Nishani: Kam patur marrëdhënie krejt korrekte, që nga 2001 kur Topi kandidonte si deputet në zonat e Tiranës, isha në komisionin zgjedhor, më pas marrëdhënie korrekte në strukturat e PD-së. Në kohën e Ministrit të Drejtësisë në KLD kemi patur kontakte dhe konsulta, si president nuk kemi patur marrëdhënie intensive, por normale dhe korrekte.

Sokol Balla: Cfarë presidenti ishte?

Presidenti Nishani: Nuk do të prononcohem, nuk prononcohem. Nuk mund të them sepse duhet të vendosësh në rrethana të caktuara në momente të caktuara.

Sokol Balla: A ju ka uruar presidenti Topi, zyrtarisht e dimë, po privatisht?

Presidenti Nishani: Kam marrë një sms urimi nga Presidenti Topi që më uroi përzgjedhjen në detyrë.

Sokol Balla: Cili do të jetë stafi juaj?

Presidenti Nishani: Do të preferoj persona që do të kenë vullnetin dhe dëshirën për të punuar me mua. Njerëz me aftësi të spitakura profesionale për fushat që do të mbulojnë, njerëz që do të kenë dhënë provën, të shohin institucionin e Presidentit si një institucion që kontribuon institucionalisht dhe në mënyrë Kushtetuese për vendin.

Sokol Balla: Më 24 korrik besoj do të mbahet një ceremoni e dorëzimit të detyrës nga Presidenti Topi? Pasi nuk ju votoi në parlament, mendoni që opozita do të vijë, apo duhet të vijë?


Presidenti Nishani:
Është e ftuar sepse ka vendin e saj, vend që i takon dhe besoj që do të jetë prezente.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA