Koalicioni qeverisës në Gjermani, drejtuar nga kancerlarja Angela Merkel, arriti të marrë mbështetjen e opozitës në lidhje me traktatin financiar të BE-së, që do të aprovohet javën e ardhshme në parlament.
Traktati financiar do të vendosë në fuqi mekanizma më të fortë kontrolli dhe kritere të qarta të marrjes së kredive nga vendet me defiçit të lartë buxhetore.
Marrëveshja me socialdemokratët e qendrës së majtë në opozitë dhe ambientalistët u realizua pas disa javësh negociatash të lodhshme.
Kancelarja Angela Merkel është duke luajtur një rol kryesor në zbatimin e traktatit financiar, i cili gjithashtu vendos sanksione të ashpra ndaj vendeve që abuzojnë në lidhje me bilancet e tyre shtetërore.
Midis 27 shteteve të Bashkimit Europian, vetëm Britania e Madhe dhe Republika Çeke nuk kanë nënshkruar traktatin, i cili do të hyjë në fuqi në janar 2013.
Në bazë të kompromisit të arritur, opozita gjermane aprovoi edhe Mekanizmin e Stabilitetit Europian, që parashikon formimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për t’u përdorur në vendet në rrezik.
Qeveria e Merkel kishte nevojë për 2/3 e votave për miratimin e këtyre ligjeve, prandaj kishte nevojë të domosdoshme për mbështetjen e opozitës.
Top Channel