Topi: Politikanët që s’përballen me rotacionin, të vetëkënaqur

20/06/2012 00:00

Presidenti Bamir Topi ndodhet në Jeruzalem, për të marrë pjesë në
Konferencën e katërt Presidenciale “Përballja me të nesërmen”.

Në fjalën e tij Presidenti vuri në dukje se në agim të ndryshimeve të mëdha, udhëheqësit politikë dhe elitat drejtuese kanë përcaktuar emergjencat. Në kohën e duhur, individë të mëdhenj dhe të ndjeshëm ndaj fatit dhe të ardhmes së njerëzimit, e kanë kuptuar mjaft mirë se politika duhet të mendojë e të veprojë edhe për të ardhmen, jo vetëm për të tashmen dhe interesat e çastit.

“Ne sot jemi të vetëdijshëm – tha Presidenti – se politika nuk duhet të sprapset para zgjidhjes së problemeve dhe kapërcimit të sfidave të së ardhmes, ndryshe rrezikojmë të biem në rrjedhën e barbarisë dhe betejave shkatërrimtare, ku forcat e ndryshme do t’i kundërviheshin njëra-tjetrës”.

Sipas Presidentit, detyra kryesore e udhëheqësve politikë është puna me përkushtim si dhe përpunimi, në kuptimin e mire të fjalës, i opinionit publik për të bërë të mundur çdo gjë që, politikisht, sot mund të duket sikur është e pamundur. Në politikë, ashtu si në ekonomi, udhëheqësit të cilët nuk përballen me konkurrencën dhe që nuk i nënshtrohen rotacionit demokratik, ndihen të vetëkënaqur, – tha Presidenti në fjalën e tij. Një mesazh ky sa global, aq edhe lokal, duke pasur parasysh situatën aktuale politike në vend.

Përpara këtij samiti Presidenti Topi u prit nga Presidenti i Izraelit, Shimon Perez me te cilin bisedoi per marrëdhëniet e shkëlqyera dy vendeve.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e katërt presidenciale në Jeruzalem, Presidenti Topi u takua edhe me Presidentin kroat, Ivo Josipoviç, ish-Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Toni Blair dhe me ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, Dr. Henri Kisinger, fitues i cmimit Nobel për paqe në vitin 1973.

Top Channel