Gjatë mbrojtjes së tij, deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, i paditur nga dy fëmijët e kryeministrit Sali Berisha, iu referua një sërë vendimesh të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, të dhëna në vite në favor të të paditureve.

Tahiri u mbrojt duke thënë se, në percepetimin e tij, fëmijët e kryeministrit janë të korruptuar dhe se ai nuk kishte shpifur, por ishte bazuar në atë çfarë kishte dëgjuar në publik për ta.

“Praktika e Gjykatës së Lartë dhe e asaj të Strasburgut është mjaft e qartë, gjykimet dhe opinionet e politikanëve nuk i nënshtrohen gjyqit nëse njihen botërisht. Nuk ka dyshim që njihet botërisht se Shkëlzen Berisha është i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit. Nuk ka dyshim që njihet botërisht që Argita Berisha është e përfshirë në afera korruptive”, deklaroi Tahiri.

Deputeti socialist kërkoi të shpallet i pafajshëm nga gjykata duke shtuar se, ajo duhet të bëjë detyrën e saj kushtetuese dhe jo t’i bindet urdhërave verable për njëanshmëri në proçes.

“Tashmë është në dorë të gjyqtarit të vendosë nëse do t’i nënshtrohet presionit politik, apo do t’i besojë lirisë, drejtësisë, ligjit dhe Kushtetutës për t’i dhënë zë të drejtës dhe jo interesave të pushtetit”, vijoi Tahiri.

Tahiri deklaroi në seancë se, sipas deklarimit të pasurisë, fëmijët e kryeministrit rezultonin se kishin fituar gjatë muajve të fundit më shumë se më parë, çfarë vërtetonte sipas tij se fjalia e tij në një emision televiziv nuk i kishte shkaktuar asnjë dëm pasurorur, siç pretendonte avokati i fëmijëve të kryministrit, që kërkonte shifrën prej 80 milionë lekësh.

Thirrjes së tij ndaj ambasadës amerikane në Tirane për të marrë pjesë në proçes i ishin përgjigjur disa prej ekspertëve juridikë të saj.

Top Channel