Integrimi, jo udhëtim turistik

20/06/2012 00:00

Pas takimit me Edi Ramën, Kryeministri belg Elio di Rupo konfirmoi
mbështetjen e Belgjikës për të ardhmen europiane të Shqipërisë, por ai
tha se hyrja në BE nuk është një shëtitje në pyll, dhe se vendi duhet të
ndërrmarrë reforma të brendshme për të garantuar ndarjen e pushteteve,
kontrollin e qeverisë nga parlamenti, pavarësinë e gjyqësorit dhe
zgjedhje të lira e të ndershme.

Elio di Rupo: Fati i Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe kjo nuk përbën as hijen më të vogël të dyshimit. Por Komisioni Europian ka bërë një analizë shumë të kujdesshme të situatës së brendshme të Shqipërisë dhe vendi duhet të vërë konkretisht në jetë ligjet e tij, si dhe duhet të ndryshojë disa gjëra. Duhet që transparenca, për shembull në proceset zgjedhore, të jetë e padiskutueshme. Duhet që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të sigurohen nga momenti i parë e deri në rezultatin përfundimtar, që gjithçka të jetë korrekte dhe transparente dhe në këtë kuadër nuk duhet të ketë asnjë dyshim. Kemi edhe aspektet gjyqësore, ku nevojitet përmirësimi i mënyrës së emërimeve në postet e ndryshme. Por janë gjithashtu rregullat parlamentare, pra se si parlamenti duhet të kontrollojë realisht qeverinë pasi në demokracitë moderne është gjithnjë parlamenti që kontrollon qeverinë e jo qeveria parlamentin.Pra e ardhmja e Shqipërisë është në Europë, por siç e ka thënë Komisioni Europian dhe ky është edhe mendimi i Belgjikës, duhet që fillimisht të ndodhin këto ndryshime të brendshme. Dhe në rast se këto ndryshime, transparenca apo vënia në jetë e ligjeve nuk realizohen, është e qartë se do të ketë vonesa për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Siç e thoshte edhe kryetari i Partisë Socialiste, i cili mbron kandidaturën e Shqipërisë në BE, të gjithë duan të ndihmojnë në këtë proces, por për këtë duhet absolutisht të bëhen reformat e duhura.

Top Channel
: Zoti Di Rupo, a mendoni se e meriton Shqipëria sot mbështetjen e Belgjikës për statusin kandidat?

Elio di Rupo: Po, por duhet dëgjuar më mirë ajo që themi ne. Në Bashkimin Europian nuk anëtarësohesh njësoj sikur del për të shëtitur në pyll. Ka kushte, dhe këto kushte kërkojnë të kesh respekt për të gjitha rregullat themelore të transparencës, të demokracisë, të pavarësisë së gjyqësorit dhe të faktit, që parlamenti duhet të jetë vendi ku qeveria kontrollohet. Pra e përsëris se në BE nuk futesh njësoj si të bësh një shëtitje në lëndinë. Ne jemi dakort që të bëhet e mundur që Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian në të ardhmen, ne mendojmë gjithashtu se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit është në Bashkimin Europian. Por duhen përmbushur përpjekjet e nevojshme për të garantuar, si në të gjitha vendet e tjera, transparencën dhe ndarjen e pushteteve.

Top Channel: Pra ju mendoni se tani ka probleme me ndarjen e pushteteve në Shqipëri?

Elio Di Rupo
: Nuk jam unë që e mendoj por Komisioni Europian që ka bërë një raport. Komisioni Europian është shumë i qartë në lidhje me këtë. Mjafton të lexohet dhe të respektohet ajo që thotë Komisioni Europian dhe atëherë do të kishte një përshpejtim të menjëhershëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Pergatiti: ARTA TOZAJ

Top Channel