21 janari, dëgjohen dëshmitarët

20/06/2012 16:40

Gjykata penale e Tiranës ka vijuar me pyetjen e dëshmitarëve për dosjen 21 janarit, ku nën akuzë janë ish-kreu i Gardës së Republikës, gjeneral Ndrea Prendi, oficeri Agim Llupo dhe Margarit Kume.

Një ndër dëshmitarët ishte edhe gazetari Flamur Vezaj, i cili dëshmoi për një material filmik të hedhur në faqen online ditën e tragjedisë, ku shfaqet se si u rrëzua i pajetë demonstruesi Ziver Veizi.

I pyetur nga prokurori, gazetari shpjegoi se kishte ndjekur zhvillimin e demonstratës ashtu si mjaft gazetarë të tjerë, ndërkohë që filmi i hedhur online prej tij, që u bë shkak më pas edhe për regjistrimin e proçedimit penal për vrasjen e Ziver Veizit, e kishte shkarkuar nga faqja e një televizioni.

Kamerat që ndoqën këtë proçes u lejuan vetëm pak minuta për të filmuar një pjesë të dëshmisë së gazetarit Vezaj, e më pas proçesi vijoi pa praninë e kamerave.

Gjatë gjyqit dëshmoi gjithashtu edhe Hysni Peposhi, shoku i të ndjerit Hekuran Deda, i cili po ashtu mbeti i vrarë në demonstratë.

Hysni Peposhi i tha gjykatës se, sapo kishte parë vrasjen e një personi kishte kthyer kokën për t’i thënë shokut të tij t’i ndizte një cigare, por e kishte parë se edhe ai ishte rrëzuar i gjakosur. Dëshmitari pohoi se mban mend që plumbat kanë ardhur nga brenda Kryeministrisë.

Ndërkohë që dëshmitari tjetër, Sokrat Gode, i mbetur i plagosur më 21 janar deklaroi se ka parë vrasjen e Ziver Veizit e menjëherë më pas ai është plagosur edhe vetë.

Top Channel