Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit

19/06/2012 00:00

Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranes kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që kreu i Bashkisë së Tiranës të bëjë publik projektin për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit.

Aldrin Dalipi ka theksuar se qytetarët e Tiranës kanë të gjitha të drejtat të njihen me projektet pulike që lidhen me jetën e tyre të përditshme.

“Këtu nuk ka asnjë konflikt politik, por vetëm një interes qytetar dhe interesi qytetar është që të njihet me çdo projekt në territorin ku ata banojnë dhe jetojnë. Nuk kemi ende nga Bashkia e Tiranës një përgjigje për këtë gjë”, thotë kreu i këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi.

Këshilltarët socialistë i kanë kujtuar kryetarit të bashkisë se ky projekt duhej të ishte diskutuar më parë në Këshillin Bashkiak.

“Nuk dime ende çfarë do të kryhet, çfarë do të ndodhë në territorin e Parkut Kombëtar që tashmë është shkatërruar? Thuhet që do të bëhet një rrugë, nuk kemi projektin e rrugës. Nuk dimë më tej se cfarë do të ndodhë aty. A do të ngrihen pallate? A do të ketë interesa të dyshimta pas tyre, apo do të ketë veprime që janë në interes të qytetarëve?”, thotë zoti Dalipi.

Pak ditë më parë ambientalistë, por edhe përfaqësues të trashëgimisë kulturore, kanë kërkuar që pushteti vendor të bëjë publike projektet për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit dhe të ruajë të gjitha veprat e trashëgimisë kulturore e historike të Tiranës, sic është fortesa e Pallatit të Brigadave, por edhe Varrezat e Dëshmorëve.

Ditën e enjte pritet një protestë e shoqërisë civile që do të kërkojnë zbatimin e ligjit, por edhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Top Channel