Partia Socialiste ka denoncuar gjyqet e hapura ndaj deputetëve të
opozitës si të motivuara politikisht duke u  kthyer në një problem
serioz dhe të rrezikshëm jo vetëm për cënimin e shtetit ligjor e
demokracisë, por dhe për vetë sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e
gjykatave shqiptare.

Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të PS-së, renditi një mori procesesh gjyqësore që sipas tij nuk janë asgjë tjetër përvec se një hakmarrje e pastër për t’i mbyllur gojën opozitës.

“Nesër është seanca e parafundit e gjyqit ndaj nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Saimir Tahiri i akuzuar nga fëmijët e Kryeministrit. Një proces gjyqsor tërsisht i njëanshëm, i deformuar që në themel, dhe i paracaktuar në vendimin e tij për të dënuar me çdo kusht deputetin Tahiri. Në procese gjyqsore janë dhe shumë deputetë të tjerë dhe e gjithë Kryesia e Grupit Parlamentar. Ka vetëm një motiv pse këta deputet sot gjenden në dyert e gjykatës, të gjykuar nga gjyqtar që nuk bëjnë drejtësi, por që si klientë të bindur të pushtetit, bëjnë padrejtësi në emër të pushtetit. Arsyeja është e thjeshtë dhe një e vetme: Saimr Tahiri, Mimi Kodheli, Vasilika Hysi, Erjon Brace, Eduart Shalsi, Artan Gaci, Taulant Balla, Ermonela Felaj, Eltar Deda, Olta Xhacka, e shumë të tjerë kanë pasur dhe kanë guximin të denoncojnë të vërtetat e hidhura të kësaj qeverie, të kryeministrit dhe familjarëve të tij, të ministrave dhe deputetëve të pushtetit”, tha Ruçi.
 
Gramoz Ruçi i komentoi këto gjyqe si simbolin e nënshtrimit të gjykatave ndaj pushtetit, që sipas tij janë kthyer në kamzhik politik të qeverisë ndaj deputetëve të opozitës.

Top Channel