Rikthehen kufizimet e energjise

16/06/2012 00:00

Për kompaninë CEZ, stakimet e dritave në ditët e ardhshme janë një
proces normal, gati rutinë, që shërbejnë në përmirësimin e linjave, por
për banorët e zonave që do të preken nga kufizimet mund të konsiderohet
një hakmarrje (ndaj atyre që nuk paguajnë faturat).

Duke filluar nga data 18 qershor, pra të hënën e javës së ardhshme, kompania CEZ Shpërndarje do të nisë procesin e ndërprerjes së energjisë elektrike në disa rajone të vendit, nga Veriu në Jug, madje edhe në zona turistike.

Kufizimet në disa vende zgjasin deri në pesë orë, kryesisht nga ora nëntë e mëngjesit, deri në tre të drekës, dhe parashikohet të përfundojnë në datën 22 qershor.

“Në kuadër të përmirësimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë, CEZ Shpërndarje do të ndërmarrë këtë javë një sërë remontesh në zona të ndryshme të Shqipërisë. Për shkak të këtyre remonteve, në disa zona do të ketë edhe stakime të energjisë elektrike”, ishte njoftimi zyrtar i kompanisë çeke, CEZ.

Aktualisht kompania nuk po përjeton një situatë të mirë financiarisht dhe ndodhet në disa procese të rëndësishme me Entin Rregullator të Energjisë për përmirësimin e disa treguesve. CEZ pret me padurim vendimet e entit për të vijuar më tej me planet e investimeve, të cilat aktualisht janë bllokuar, për shkak të mungesës së të ardhurave.

Top Channel