Tiranë, dhjetra familje pa ujë

12/06/2012 00:00

Me rritjen e temperaturave kanë nisur problemet e furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet. Në zonën Porcelanit në rrugën “Sadik Petrela”, prej dy muajsh banorët  vuajnë mungesën e ujit.

Ndonëse paguajnë rregullisht faturat, pasi kanë kontratë me ujësjellësin ata furnizohen me autobotë.
 
“Sot erdhi uji me bot. Po për të pirë, ku të vemi ne?! Është ujë i pistë, edhe rrobat që kemi të bardha i nxin”, thonë banorët.

“Ka dy muaj e ca që nuk kemi ujë. Librezën e kam, kontratën e kam të rregullta jemi, që nga ’97, kemi qenë në rrregull me uji, tani ka nja dy muaj që s’ka ujë”, shtojnë ata.

Banorët thonë se autobotët vijnë njëherë në 2 -3 ditë dhe nuk u mjafton, madje përvec faturave që paguajnë për ujin që nuk u mbërrin në tubacione, detyrohen të paguajnë edhe për ujin që ndërmarrja u dërgon me autobote.
Sipas banorëve Ndërmarrja e Ujësjellësit ka nisur punimet në këtë zonë por i ka ndërprerë ato duke bërë që në sezon vere, atëherë kur nevojat për ujë shtohen, këta banorë të mos  furnizohen.

Top Channel