Rriten temperaturat, rritet numri i pacientëve

12/06/2012 00:00

Rritja e temperaturave dhe i nxehti afrikan që kanë përfshirë vendin
sjellin edhe shqetësimet e para shëndetësore për kategoritë më
“delikate”. Fëmijë, të moshuar, pacientë kronikë këtë fundjavë kanë
mbushur urgjencat e qendrave shëndetësore, poliklinikave e kryesisht
spitalit “Nënë Tereza”.

Brenda 24 orëve në qendrën spitalore të Tiranës janë paraqitur mbi 250 raste të pacientëve të vegjël me shqetësime pastro-intestinale, temperaturë, probleme të rrugëve të frymëmarrjes. Bëhet fjalë për fëmijët nga mosha 0 deri në 12 vjeç, të cilët janë paraqitur pranë urgjencës së pediatrisë. Pasi kanë bërë konsultën janë larguar në shtëpi me recetën mjekësore, ndërkohë që rastet më të rënda janë mbajtur të shtruar për të qëndruar nën vëzhgimin e specialistëve.

Po ashtu rreth 80 pacientë të moshave të mesme dhe moshës së tretë janë paraqitur për ndihmën e parë në urgjencën e kardiologjisë, pranë spitalit “Nënë Tereza”. Sipas mjekëve rritja e menjëhershme e temperaturave me disa gradë celsius dhe i nxehti afrikan që ka pushtuar vendin dhe rajonin ndikojnë në mënyrë të menjëhershme në organizimin e të vegjëlve dhe te pacientët me sëmundje kronike, të tensionit, zemrës, diabetit.

Po ashtu, çdo 24 orë në urgjencën e infektivit janë paraqitur qytetarë me probleme të dehidratimit, temperaturë të lartë por edhe helmime. Sipas mjekëve, sapo jemi futur në stinën e nxehtë dhe fluksi i pacientëve me probleme të virozave të stinës do të jetë më i lartë në javët në vazhdim.

Një numër i lartë pacientësh me viroza të stinës të moshave të ndryshme paraqiten çdo ditë edhe në urgjencën e qytetit të Tiranës.

“Paraqiten kryesisht pacientë me temperaturë të lartë, të dehidratuar nga vapa, qytetarë që marrin në telefon për shkak të gjendjes së të fikëtit, por edhe të tjerë me luhatje të tensionit”, deklaruan mjekët e urgjencës së kryeqytetit.

Sipas mjekëve dhe personelit mjekësor, tanimë që ndodhemi në stinën e nxehtë të verës duhet të zbatojmë me përpikëri disa rregulla bazë. E para që është e vlefshme për të gjithë lidhet me oraret e daljes. Rekomandohen daljet deri në orën 10:00 të mëngjesit dhe pas orës 18:00 pasdite. Për secilin këshillohet konsumi i mbi 1.5 litrave ujë në ditë dhe qëndrimi në ambient të freskët. Fëmijët e vegjël duhet të shëtisin vetëm në këto orare. Dieta ushqimore duhet të jetë e lehtë, me lëngje dhe jo me vakte tepër të yndyrshme dhe me shumë kalori për t’u djegur.

Kur duhet të dalim jashtë, këshillohet mbajtja e çadrave të diellit, kapelave dhe syzeve.

Këshillohet shmangia e konsumit të produkteve alkoolike. Pacientët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe mosha e tretë mbi 65 vjeç duhet të bëjnë kujdes më shumë se çdo kategori tjetër, pasi ata kanë organizmin më të ndejshëm ndaj luhatjeve të menjëhershme të temperaturave.

Top Channel