62 përqind e popullit në varfëri

09/06/2012 19:45

Në vitin 2008, qeveria shqiptare përmes Institutit të Statistikave realizoi matjen e fundit të varfërisë në vend. Rezultati në atë kohë tregoi se numri i individëve të varfër, ata që jetojnë me më pak se 2.5 dollarë në ditë, ishte ulur nga 18.1 përqind në 2005-ën në 12.5 përqind në vitin 2008.

Por, ndonëse në ulje, kjo shifër fsheh një të vërtetë tjetër, atë të numrit të individëve që jetojnë pak mbi kufirin zyrtar të varfërisë, ose në atë që quhet varfëri e moderuar. Tre ditë më parë Banka Botërore publikoi një raport të hollësishëm mbi zhvillimet ekonomike në 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

Raporti që i kushton një pjesë të mirë varfërisë, për Shqipërinë jep shifra alarmante. Sipas Bankës, si askund tjetër në rajon, në Shqipëri pjesa dërrmuese e popullsisë, ose 62.1 përqind e saj, jeton me më pak se 5 dollarë në ditë.  

Banka thotë se përvec Kosovës, ky është niveli më i lartë i varfërisë së moderuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, me diferenca të theksuara krahasuar me vendet e tjera.

Pas Shqipërisë vjen Maqedonia, ku sërish pjesa e popullisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë është shumë më e vogël, rreth 37 përqind, ndërsa në vendet e tjera shifra luhatet nga 14 deri në 16.1 për qind.

Shifrat e Bankës dëshmojnë se pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare, ose 62.1 për qind e tyre janë gjithmonë të kërcënuara nga varfëria ekstreme.

Matja e fundit e varfërisë është ajo e vitit 2008, para se ekonomia të goditej nga kriza. Pas këtij viti, rritja ekonomike është përgjysmuar dhe ekspertët druhen se treguesit e varfërisë në vend mund të jenë përkeqësuar.

Kriza godet me te varferit

Banka Botërore parlajmëron se kriza ekonomike po godet më fort familjet e varfëra, te cilat jane duke paguar edhe kostot me te larta. Në një intervistë për Top Channel, Drejtoresha e Bankës në tiranë, Ksenia Lvovski, thotë se pas vitit 2008, rritja ekonomike nuk ka qenë pro të varfërve duke shpjeguar dhe arsyet

“Së pari, gjatë këtyre viteve rritja nuk është shoqëruar me ndonjë ulje të rëndësishme të papunësisë. Së dyti, sic e thashë dhe më parë, vetë rritja e dobet ekonomike, për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme si Shqipëria nuk mund të jetë një rritje që shkon për të varfërit. Këto vende kanë nevojë për një rritje te prodhimit prej 5 apo 6 për qind në mënyrë që të shikohet një ulje e rëndësishme e nivelit të varfërisë”, thote zonja Lvovski.

Në këtë situatë, prej dy vitesh Banka Botërore është duke i bërë thirrje qeverisë që të rrisë mbrojtjen për të varfërit.

“Kjo është një nga arsyet se pse një nga prioritetet, ose më saktë prioriteti kyç i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të ngjashme është të bëhet e mundur që skemat e mbrojtjes sociale të jenë efektive për të ndihmuar të varfërit dhe shtresën më vulnerabile të popullsisë”, tha Drejtoresha e BB-se për Shqipërinë.

Me ndihmën e Bankës Botërore qeveria shqiptare po përgatit një skemë të re për mbrojtjen sociale, që ka për qëllim të rrisë efektivitetin e skemës dhe pastrimin e saj nga abuzimet.

Top Channel