Konsensual? Berisha të zgjedhë nga lista e opozitës

07/06/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Që Kryeministri të caktojë emrin e kandidatit për
president dhe opozita ta votojë nuk është ofertë konsensusi, por një
tallje, është një veshje e arrogancës së shumicës me “konsensus”.

Në fakt, këto ditë është dëshmuar se jo vetëm klasa politike shqiptare, por edhe disa përfaqësues të ndërkombëtarëve nuk kanë një kuptim të qartë për konsensusin. Konsensusi nuk është diçka që lind nga hiçi, ai nuk krijohet si me magji në tavolina bisedash apo pazaresh politike. Konsensusi është bashkëndierje, thotë Xhovani Sartori. Prandaj bisedimet politike zbulojnë nëse konsensusi ekziston apo jo. Në radhë të parë në kokat e liderëve. Në rastin konkret, që të bien dakord lideri i opozitës dhe ai i pushtetit për presidentin duhet që ata të kenë të përbashkët një ide për shtetin. Duan një shtet me pushtete të ndara apo një shtet me pushtete të përqendruara në të njëjtën dorë? Pikërisht se Rama dhe Berisha ndahen në këtë ide, nuk ka edhe konsensus. Por konsensusi për presidentin është shumë i rëndësishëm që Shqipëria të mos refuzohet për të tretën herë në marrjen e statusit të kandidatit. Si i bëhet? Pengesa kryesore për një president konsensual, që është mospërputhja e idesë për shtetin në kokat e Berishës dhe Ramës, duhet të kapërcehet me ndihmën e ndërkombëtarëve. Ashtu siç ndodhi në vitin 2002.

***

Mbështetësit e Berishës këmbëngulin se nëse Rama nuk do t’i kish humbur zgjedhjet e vitit 2009, sot ai do ta zgjidhte presidentin me 71 vetë. Ndoshta! Por një e keqe, dikur potenciale, por që sot nuk ka më gjasa të ndodhë, nuk mund të shërbejë për të justifikuar një të keqe si kjo që po ndodh pra, që Berisha të zgjedhë një president me 71 vetë duke rrënuar shansin e tretë të integrimit për Shqipërinë. Dhe nëse supozohet se “bllokmeni” Rama do të tregohej autokrat, i bie që demokrati Berisha të mos vuajë nga të tilla gjakime. Por faktet flasin për krejt të kundërtën. Ndërsa Rama e ka pranuar publikisht gabimin e ndryshimeve të Kushtetutës, “demokrati” Berisha po këmbëngul ta shfrytëzojë atë gabim fatal për të zgjedhur president një kukull të vetën qoftë edhe me 71 vota në Kuvend me justifikimin: e lejon edhe Kushtetuta! Por Berisha ka në dorë ekzekutivin, si dhe shumicën e legjislativit. Nëse merr edhe presidentin, do të thotë të përforcojë ndikimin e tij jo vetëm në pushtetin e tretë (drejtësinë), por edhe në një numër institucionesh të tjera. Shqipëria do të shndërrohej pashmangshëm në një republikë putiniste, ku thuajse gjithçka thelbësore për shtetin varet nga një njeri i vetëm që qëndron në majë të pushtetit. Si në Rusi. Bashkë me ndarjen reale të pushteteve do të shuhen edhe shanset për luftë reale ndaj krimit e korrupsionit galopant, shanset për integrim me botën perëndimore, me Europën.

***

Sugjerimet e ndërkombëtarëve për një president konsensual është rrjedhojë e këtij kuptimi. E megjithatë duhet thënë se ato nuk janë ngritur në nivel presioni mbi Kryeministrin për ta bërë të heqë dorë nga ambicia e tij për kapjen dhe të postit të presidentit. Në këtë rrafsh ka fajësi edhe opozita, që nuk ka ditur të shndërrojë në një ofertë konkrete synimin e saj. Dhe Shqipëria ka një përvojë jo të keqe në zgjidhjen e nyjës gordiane të presidentit. Është fjala për vitin 2002, kur edhe pse i kishte mbi 84 vota, qeveria socialiste e asaj kohe pranoi të zgjidhte një president nga një listë e ofruar prej opozitës së drejtuar nga Berisha. Një zgjidhje që u arrit edhe me anë të presionit ndërkombëtar mbi qeverinë, presion i justifikuar me faktin se rezultati i zgjedhjeve ish deformuar aq shumë nga formula e “Dushkut” sa shumica nuk kish legjitimitet të zgjidhte presidentin. Berisha e aprovoi në atë kohë këtë zgjidhje. Shumica e majtë i lëshoi pe opozitës, edhe pse kishte me vete gjithë të drejtën që i jepte Kushtetuta. Sot Berisha sillet krejt ndryshe, duke shenjtëruar “të drejtat kushtetuese të shumicës”. Sjellje që ka vetëm një shpjegim: Epsh për të kapur të gjitha pushtetet. Ajo që nuk kuptohet ende qartë është se përse ndërkombëtarët, nuk po ushtrojnë të njëjtin presion, si në vitin 2002, edhe mbi shumicën e sotme që nuk ka ndonjë legjitimet më absolut se shumica e vitit 2002 për zgjedhjen e presidentit. Sepse rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri janë të deformuar në vazhdimësi aq rëndë, sa e bënë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) të deklarojë, së fundi, se në Shqipëri është minuar e drejta e qytetarëve për të ndërruar me votë qeverinë. Ndërkombëtarët duhet ta detyrojnë Berishën siç detyruan Fatos Nanon të pranojë një listë kandidatësh nga opozita, ku të vërë gishtin mbi presidentin konsensual. Ndryshe nuk ka për të pasur konsensus dhe votimi do të shkojë drejt 71-shit. Sa për të pavarur si “zaganjorët” dhe “ristanët” që s’kanë qenë në PD, Berisha ka sa të duash. Një nga thelbet e berishizmit është mbytja e demokracisë me “demokraci” dhe kapja e institucioneve të pavarura me “të pavarur”. Kush nuk ka kuptuar këtë, shqiptar ose jo, nuk ka kuptuar asgjë nga politika e sotme në Shqipëri. Ose nuk do ta kuptojë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA