Pensionet, skemë e re

06/06/2012 00:00

Qeveria po përgatit një formulë të re për mbledhjen e  kontributeve dhe përfitimin prej tyre përmes pensionit.

Ministri i Financave Ridvan Bode ka pranuar se skema e pensioneve ka dështuar, pasi ajo nuk është e qëndrueshme financiarisht dhe ka krijuar një defiçit të barabartë me 1% të GDP-së në vend.

Duke kërkuar edhe konsensusin e opozitës, Bode tha se formula e konsultuar edhe me ekspertë të Bankës Botërore, tashmë është gati por pret një moment më të qetë politik për t’u bërë publik.

“Ky sistem i ri synon zgjidhjen përfundimtare të një sërë çështjesh, si vendosja e elementëve shtytës të rritjes së pjesëmarrjes dhe pagesës së kontributeve nga paga reale. Sidomos nga rastet e kontribuesve me pagë mbi mesataren. Gjithashtu, synon mënjanimin e këtij proçesi dystimi të përfitimit nga skema e pensionit, pavarësisht nga kontributet”, deklaroi Bode.

Sipas ministrit të Financave, tashmë skema e sigurimeve shoqërore do të plotësohet me të gjitha kolonat e nevojshme dhe jo vetëm me kontribut të detyrushëm.

Sipas tij, reforma e pensioneve do të përfshijë edhe masa të tjera që kanë të bëjnë me forcimin e rregullave të marrjes në punë dhe heqjes nga puna, forcim të masave për sigurinë në punë dhe kombinimit më të mirë të të ardhurave nga puna.

Sipas Bodes, skema e sigurimeve shoqërore tashmë do të jetë pensionale dhe jo asistenciale si deri më tani, duke deklaruar se edhe formula e indeksimit do të ndryshojë.

Kjo deklaratë e ministrit të Financave u bë në konferencën e organizuar për 20-vjetorin e krijimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Top Channel