Shëndetësia: Reduktoni ndotjen

05/06/2012 00:00

Në Ditën Botërore të Mjedisit, Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili u bën thirrje të gjitha bashkive dhe komunave të ndikojnë në uljen e ndotjes mjedisore nëpërmjet krijimit të hapësirave të gjelbra, reduktimit të trafikut dhe kujdesit  në zonat ku ndërtohet, pasi kështu ndikojnë direkt në uljen e sëmundjeve respiratore.

“Moto për të patur ekonomi globale, botërore të gjelbra është një moto e të gjithëve. Ekonomi të gjelbra janë të gjitha ato ekonomi që sigurojnë mundësitë që ekonomia të ecë përpara duke vlerësuar thellësisht problematikat mjedisore, sepse kursimet janë të jashtëzakonshme. Shqipëria është pjesë e këtij ambienti global. 13 milion vdekje në vit mund të parandalohen, sipas shifrave të OBSH-së, vetëm duke siguruar dhe rikuperuar mjedise sa më të shëndetëshme. Mirëmenaxhimi i mjedisit mund të ulë me 40 përqind sëmundjet respiratore, mos harroni janë shkaku i dytë i vdekshmërisë në botë”, deklaroi ministri Vasili.

Vasili është shprehur për ulje me 30 % të grimcave të pluhurit në ajër në kryeqytet, rezulat ky i nxjerrë nga dy pikat e monitorimit të ajrit në qendër dhe në Kinostudio ku janë të instaluara aparaturat.

Por sipas specialistëve, ndotja e ajrit vazhdon të jetë e lartë në zonën e 21 Dhjetorit dhe pika të tjera ku ka trafik të dendur.

Top Channel