Prapaskena e “Top Fest”

04/06/2012 20:00

Edicioni i nëntë i “Top Fest” u kurorëzua me sukses ditën e dielë me fitoren e Elhaida Danit, me një baladë që fitoi komentet më të mira nga vetë publiku dhe këngëtarët e tjerë pjesëmarrës.

Megjithatë, ky edicion i festivalit solli risi të shumta, nëpërmjet një skenografie dhe dekori të rrallë, efekteve speciale të papërdorura më parë, e shumë detajeve të tjera në skenar, regji, ndriçim, skenografi, veshje apo prezantim.

Për të folur për natën e madhe finale dhe tre muajt e “Top Festit”, në studion e “Pasdites” në “Top-Channel” ishin të pranishëm katër organizatorë kryesorë të evenimentit, që prej fillimit të tij.

Fatmir Minga, skenografisti i “Top Festit” ishte i pari që komentoi në panelin që përfshiu Dalina Buzin, autore e “Pasdites” dhe skenariste e festivalit, regjizorin Ergys Lubonja dhe Dorian Gjonin, udhëheqës artistik i këtij edicioni. ““Ky është viti i nëntë që organizojmë gjithmonë finale e “Top Fest” në Pallatin e Kongreseve dhe ndryshimi madh u ndie që në “Top Fest 7”, kur u përfshi për herë të parë këndimi live. Kjo ka bërë që kërkesa të ndryshojnë, skenografia të jetë tjetër gjë”, shpjegoi Minga.

“Ishte një bashkëpunim midis një grupi të madh personas që u përkushtan me mish e me shpirt për realizimin sa më të mirë të këtij evenimenti, por dua të bëj një rrjedhë logjike, pas nuk ishte vetëm finalja, por një punë e gjatë tremujore, që nisi që me prezantimin e këngëve, me skenografi të dedikuar e të punuar seriozisht, me përkushtim të madh për secilin këngëtar”.

Duke u përqendruar tek finalja, Minga komentoi: “Janë të shumta gjërat që kanë ndryshuar, duke nisur nga koncepti i ndryshëm i skenografisë, ku prezantuesi dhe dekori nuk është më statik. Kamerat janë të vendosura në grupe të ndryshme, ndriçimi është i dedikua për çdo këngëta dhe kjo bën që në fund të shfaqjes, ndërthurrur dhe e videoklipet dhe efektet e tjera, të duket sikur është realizuar një film i madh”.

Udhëheqësi artistik i “Top Fest”, Dorian Gjoni, shpjegoi më në detaje sfidat me të cilat është përballur stafi për të realizuar një festival sa më të suksesshëm. “Po jetojmë në një kohë kur muzika është shumë e ndërlikuar, ka shumë rryma, ka brenda teknologji dhe elektronikë, përveçse muzikë. Si festival i rrymave moderne, të gjithë këngëtarët duan suportin e tyre të veçantë dhe vështirësitë janë të mëdha, ndonëse se publiku, me të drejtë, këtë nuk e kupton e madhe. Në krahasim me vitet e mëparshme, prurjet kanë qenë të mëdha. Ne drejtuesit e festivalit përpiqemi t’i japim gjithmonë e më shumë përparësi rrymave të ndryshme, duke përzgjedhur çdo shije të nevojshme për publikun, por në këtë edicion kemi patur shumë këngë të mira në çdo rrymë”.

Dalina Buzi, skenaristja e “Top Festit”, hoqi një paralele të drejtë midis Elhaidës dhe dy herë fituesit të festivalit, Alban Skënderajt. “Ashtu si Albani, edhe Elhaida ka të përbashkët që në momentin që erdhi në këtë “Top Fest” ishte e panjohur, të paktën jo në tregun e madh muzikor. Mënyra se si ajo fitoi, kur edhe ajo vetë priste që të mos ishte fituese dhe mbeti qartësisht e shtangut, ishte një vlerë e shtuar për festivalin, pasi realisht, deri në momentin e fundit askush nuk e ka ditur se kush do të ishte fituese. Ajo arriti të bënte një këngë që bëri për vete publikun dhe e meritonte vërtet fitoren, pavarësisht se nuk ka qenë e njohur më parë në treg”.

Duke folur për prezantimin dhe punën e saj me dyshen e prezantueseve, Marina-Luana Vjollca, Znj. Buzi shpjegoi filozofinë e saj. “Jam kundër konceptit të parë të prezantuesit, pasi në ditët e sotme, prezantuesi duhet të jetë më shumë një host, një pritës i evenimentit. Lirshmëria dhe natyrshmëria e tyre është një armë e fortë, që e bën të sigurt suksesin e tyre edhe në vitet e ardhshme. Për këtë arsye, nuk ishte e vështirë të krijonim një Luanë më të disiplinuar dhe serioze në skenë, e një Marinë më lozonjare, pasi kështu është edhe karakteri i tyre i vërtetë. Ishin brenda kuadrit të asaj që deshën të ndërtonim, një prezantuese të lirë. A jemi të kënaqur nga “Top Fest”? E vërteta është se nuk kënaqemi kurrë, megjithatë duhet pranuar se ky ishte një edicion i sukseshëm”.

Regjizori i “Top Fest”, Ergys Lubonja, ndau edhe ai përshtypjet e tij për këtë edicion. “Kërkesa ishte shumë e lartë, besoj që i gjithë ky staf që punoi mbi tre muaj nxorri një natë që ishte një natë që i përngjante një spektakli perëndimor, duke nisur nga muzika, mënyra si si u organizua ideja e këtij “Top Festi”. Përpara tre vitesh u futën këngët live, por kjo nuk mjafton më dhe kërkesa është shtuar ndjeshëm. Nga këngëtarët pretenduam dy këngë për version, njëra origjinal dhe tjetra “unplugged”, pretenduam balet, efekte në skenë dhe një dekor gjysëm të gjallë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA