Aleksandër Çipa – Në kërkim të një procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, kreu i opozitës, zoti Edi Rama, po përballet me përpjekjet dhe skenarin e kundërshtarit politik, zotit Berisha, dhe të aleatit me kontratë të tij, zotit Meta.
Janë përpjekje të cilat bëhen edhe më komplekse, kur mendon se të dyja palët në raport me njëra-tjetrën, ndërtojnë skenarë shembës, duke ofertuar sipas mënyrës së tyre, por edhe duke mbetur mendjevrarës për përfitimin nga kalimi i mundshëm i Metës apo lidhja e një tjetër kontrate të tij me matanistin Rama.
E drejta e zgjedhjes së deritanishme të presidentit prej zotit Berisha shqyrtohet në raport me të drejtën kushtetuese, së cilës herë i largohet pa e braktisur dhe herë e pohon për ta rikujtuar zoti kryeministër. Ajo që sot merret lehtësisht me mend, ka brendinë e një deduksioni se presidenti i ri do të zgjidhet prej zotit Berisha në koordinim me zotin Meta. Kjo zgjedhje do të ngjasë si një aritmetikë pragmatiste mes koalicionit në qeverisjen e deritanishme dhe nevojës për pasjen e një justifikimi në raport me kushtin doktrinar të ndërkombëtarëve.
Sidoqoftë, në ecurinë e mëtejshme, ndërlikimi i marrëdhënies politike mes pozitës dhe opozitës lidhet drejtpërsëdrejti me fatin e kabinetit Berisha-Meta, pavarësisht se ky i dyti ka komanduar përfaqësimin në kabinet dhe pas zgjedhjes së presidentit të ri, është i lexueshëm se po shqyrton një pozicion për më tepër përfitime. Në funksion dhe në shërbim të kësaj skeme përfitimi, zoti Meta “peshkoi” darkën e Gjirit të Lalzit me zotin Rama, një darkë aq e përfolur, e shumë kritikuar dhe ende e paanalizuar për produktin real të pritshëm apo të pësuar, të saj. Shumica e komentonjësve politikë, skepticizmin për atë darkë, në të cilën zoti Rama shkoi në tryezën e të satanizuarit të majtë, e shpreh hapur dhe madje dominueshëm konstatojnë se ajo ishte një darkë e gabuar, për shkak të “mësallës”. Pjesa tjetër e komentonjësve e trajton në heshtje, si kthesë të plangprishësit. Sidoqoftë, kjo ndarje ndër komentonjës, nuk e zbardh plotësisht nënndërgjegjen e zotit Meta dhe besimin e skenarit te zoti Rama. Aktualisht të dy janë në një raport përballës, ndonëse zoti Meta po investohet për një profil interlokutori mes dy protagonistëve antagonistë Berisha-Rama. Mirëpo ka shumë detaje që ia zbulojnë njëanshmërinë interlokutorit që ka statusin e aleatit qeverisës. Ndërsa u hodh zyrtarisht kandidatura për president e zotit Xhezair Zaganjori, zëdhënësin e aleatëve për këtë kandidim e bëri zoti Meta, ndërkohë që në një orë të debatit të nxehtë për shkak të refuzimit pa mëdyshje të PS-së, tinëzisht nxori dikënd të artikulohej në emër të forcës së vet politike se nuk ishte propozim i partisë së tij. Më tej vijoi të kërkonte dhe shpallte nevojën e një takimi Berisha-Rama, ndërsa njëherazi takonte për çaste të shkurtra zotin Berisha, duke marrë prej tij pohimin publik se nuk vlen një takim i tillë. Kjo lojë mecenati, mes pozitës dhe opozitës për arsye të gjetjes përfituese të emrit të ri të presidentit, nuk është krejt e gjitha. Zoti Meta krejt këtë fushatë po e investon si një rifaktorizim eklipsues të asaj përshtypjeje publike të krijuar pas odisesë së bujshme të “videoskandalit”.
Në ecurinë e mëtejshme të raundeve të votimit në Kuvend për presidentin e ri, zoti Meta dhe katër votat që ai përfaqëson në aleancë me kryeministrin Berisha, janë pjesë e një mazhorance të riprovuar apo janë element i rëndësishëm i imponimit, nëse midis zotit Berisha dhe zotit Fatos Nano, nuk rivendikohet një manovër e re diversioni ndaj PS-së së Ramës e këmbyer me pranimin e kandidaturës Nano për postin e Presidentit. Në orët e dy ditëve të fundit, ish- kryetari i PS-së dhe kandidati për herë të dytë për president, ka kaluar në një fazë të re mësymjeje për imponimin e kandidimit zyrtar nga zoti Rama. Në këtë këndvështrim, marrëdhënia për llogari të kësaj loje mes katërshes potenciale Berisha-Rama-Meta-Nano, po komplikohet në raport me lëvizshmërinë e interesit që ka secili. Rikthimi me tone kërcënuese dhe sidomos ndërmarrja e turit të takimeve nominale me deputetët e PS-së nga zoti Nano, po rikthen atmosferën e diversionit brenda opozitës. Kjo nuk është thjesht një nevojë e zotit Nano, por është padyshim edhe një interes maksimal i kryeministrit Berisha. Madje në jetën e gjatë politike, zoti Berisha ka një histori tipologjike shantazhimesh dhe kulisash ndaj së majtës me njerëzit e saj. Kujtojmë dekadën e parë të të qenit në opozitë kur PS-ja dhe kur zoti Nano ishte i burgosur dhe kur në shtypin e kohës u ngjizën shprehjet e famshme “për delfinë” e për mocione në PS-në e asaj kohe. E njëjta skemë duket se po rishfaqet. Kjo është një përgjigje e menjëhershme ndaj provokimit të zotit Rama me editorialin për mocionin ndaj qeverisë “Berisha”.
Në këtë diagramë të zhvillimeve, çështja e Presidentit të ri të Republikës, po paraprihet nga një çështje e re me vijimësi të vjetër në PS dhe për krejt të majtën. Kryeministri Berisha po gjen mënyrën për ta eklipsuar kauzën e procesit, të cilën e ka pasur si argument bazë dhe zyrtar zoti Rama. Rihyrja në kapitullin e dytë të fushatës së vetëshpalljes si kandidat e zotit Nano, qenka konceptuar si akt imponues dhe kushtëzues për unitaritetin e mëtejshëm të opozitës socialiste. Këtë moment, zoti Rama duhet ta peshojë seriozisht dhe jo ta vlerësojë nën peshë kompleksi. Ky moment nuk meriton sjellje dhe aq më tepër, trajtim axhamiu. Ky është moment i rëndësishëm politikëbërës dhe sidomos, ekuacion që zgjidhet ose humbet prej vetë politikanit. Ai tashmë ka detyrimin të jetë i tillë. Në analizën serioze dhe vendimmarrjen kolegjiale për këtë “ekuacion”, PS-ja nëse nuk e ka fituar pjekurinë e opozitës së pabërë gati për qeverisje, së paku të vlerësojë pleqërinë e gjallë të kundërshtarëve të saj. Të gjitha versionet në qëndrimet dhe sjelljet e lidershipit aktual, e kanë shndërruar në aneks të ngushtuar principin dhe kriterin moral. Tashmë vendimmarrja imponohet nga korrentet politike. Këto korrente kërcënojnë realisht opozitën, nëse nuk investon seriozisht një konsultim të sinqertë grupesh, ndërkohë që në kushtet e paqartësive që sjell e nesërmja politike për qeverisje, opozita duhej të ndihej më vitale përballë pozitës së shumëshfaqur në lodhjen dhe vjetrimin e saj me cene dhe bronke…
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel