Berisha në Himarë, homazhe për viktimat e aksidentit

03/06/2012 00:00

Kryeministri i vendit Sali Berisha vendosi një buqetë me lule në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik në Himarë, ku humbën jetën 13 studente dhe u përul në nderim të viktimave të kësaj tragjedie.

Gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Himarës ai takoi edhe mjekun Spiro Guta të Spitalit të Himarës për të falenderuar së bashku me qytetarët e kësaj bashkie për ndihmën e dhënë për të shpëtuar të plagosurit e kësaj tragjedie.

Kryeministri shprehu mirënjohje për ndihmën eficente dhe të përgjegjshme që ata dhanë pasi, sipas kryeministrit, nëse nuk do të ishte ajo ndihmë e parë ndoshta jetë të tjera do kishin humbur.

“Dua t’ju shpreh edhe njëherë falenderimin dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë shqiptarëve për reagimin e shpejtë, eficent, njerëzor, të përgjegjshëm që bënë qytetarët e Himarës ndaj asaj tragjedie shokuese për të gjithë shqiptarët, reagim i cili shpëtoi shumë jetë sepse nëse nuk do ishte ajo ndihmë e parë, ajo nxjerrje nga rrënojat e autobusit, ndoshta jetë të tjera do kishim humbur. Edhe ju keni bërë punë shumë të madhe, mjekët këtu kanë bërë punë shumë të madhe dhe me ato mjete që patën. Ajo ishte një ngjarje shumë tronditëse, por në atë fatkeqësi, ju në radhë të parë dhe më pas, të gjitha institucionet, reaguan me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe bënë që të shpëtohej ajo që mund të shpëtohej”, u shpreh Berisha.

Dy nga vajzat që i mbijetuan këtij aksidenti janë ende në gjendje të rëndë në spitalet e Vjenës, ku u dërguan për kurim më të specializuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB