Selami Xhepa / Klodian Tomorri – Rritja e kredisë për ekonominë gjatë
viteve të fundit, ka qenë një faktor përcaktues në financimin e
sipërmarrjes private dhe ritmet e larta të rritjes ekonomike dhe
zhvillimin ekonomik në përgjithësi.
Nga nivelet më të ulëta të tij, të matura sipas çdo standardi krahasimor, në rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gati pesë vite më parë, stoku i kredisë në ekonomik është katërfishuar në 40% të PBB-së. Edhe pse sërish Shqipëria mbetet një vend me një normë të ulët të kredisë në ekonomi krahasuar edhe me vendet e rajonit, ritmet e rritjes së saj kanë qenë shpërthyese. Është e natyrshme që këto dinamika, që kanë përkuar edhe me periudhën e “bumit” ekonomik, kanë ushqyer dhe janë ushqyer njëherësh prej saj, duke pasur si efekt anësor të saj edhe rritjen e portofolit të kredisë me probleme. Në veçanti ky fenomen fillon të bëhet shqetësues kur ritmet e rritjes së ekonomisë kanë shënuar prirje rënëse, siç ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit, duke u bashkëshoqëruar edhe me një rritje të ngadaltë të kredisë nga ana tjetër.
Në muajt e fundit kjo prirje rënëse e kredisë po forcohet edhe më shumë. Në prill, shtesa neto e kredisë ishte negative, që do të thotë se bankat nuk kanë kompensuar as kredinë e maturuar. Në terma vjetorë rritja e kredisë është poshtë nivelit 10 për qind, ndërkohë që normat e interesit në treg nuk e kanë reflektuar të plotë stimulin monetar dhe mbeten të larta, në disa raste madje në mënyrë absurde. Sistemi bankar është i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet të bollshëm, por për shkak të pasigurisë së shtuar në treg, bankat ngurrojnë të marrin përsipër rrezik për të kredituar ekonominë me ritme më të larta. Këtu roli i bankës qendrore dhe politikës monetare bëhet kritik.
Sjellja e kujdesshme e bankave, në kontekstin e krizës globale dhe forcimit të rregullave të mbikëqyrjes të cilat janë shoqëruar me kosto shtesë për këtë sektor, e bashkëshoqëruar edhe me hezitimin e biznesit për investime dhe tkurrjen e kërkesës konsumatore për shkak të pasigurive në rritje për të ardhmen, po bëhen burime shqetësimi. Pamundësia e qeverisë për të vepruar nëpërmjet stimulit fiskal që diktohet nga nivelet e borxhit publik që ndodhet në kufirin e lartë të tij, nga njëra anë, dhe ineficena e politikës monetare për të ndikuar veprimet e agjentëve ekonomikë në kontekstin kur norma bazë e interesit (që është instrumenti bazë i politikës monetare) është afër zeros në termat realë, duket se e kanë futur politikbërjen në një kurth të së pamundurës dhe vetë ekonominë në një darë të dyfishtë.
Për ekonomistët, të menduarit rreth politikave publike është ndoshta pjesa më interesante, por edhe më e vështirë e profesionit. Historikisht politika monetare ka luajtur në terren të sigurt dhe kjo ka qenë padyshim në të mirë të stabilitetit të sistemit financiar, si një nga asetet më të çmuara, njëkohësisht dhe pikat më të forta të ekonomisë shqiptare. Por këto nuk janë kohë normale. Prodhimi është poshtë nivelit të tij natyral dhe kjo kërkon nxitjen e kërkesës agregate. Nga ana tjetër, zhvillimet në ekonomitë përreth, veçanërisht në Greqi dhe në ekonomitë periferike të Eurozonës (Itali, Spanjë, Portugali), dilemat që po përjeton prej kohësh bashkësia europiane në gjetjen e zgjidhjeve të shpejta dhe me kosto të ulëta në ruajtjen e kohezionit të saj politik në kontekstin e bashkimit ekonomik e monetar të saj, e çuan politikën monetare të Bankës Qendrore Europiane përtej mënyrës tradicionale të bankingut qendror. Edhe nën ndikimin e shkakësisë së krizës aktuale globale dhe reagimin e rregullimit politik për parandalimin e krizave të ardhshme dhe krijimin e një mjedisi më stabël dhe të qëndrueshëm ekonomik e financiar, gjithnjë e më shumë po forcohet bindja se instrumentet tradicionale të politikës monetare, mund të jenë të pamjaftueshëm në menaxhimin e zhvillimeve korente, dhe jo adekuate edhe në afat të gjatë. Ortodoksitë e themeluara në politikën monetare janë duke përjetuar një revizionim që meriton të studiohet me shumë kujdes për të riformtuar të gjithë aparatin vendimmarrës të saj. Por edhe në afat të shkurtër, nevoja për një politikë monetare më energjike është më se evidente.
Së pari, kur rreziku kryesor është rënia ekonomike dhe recesioni, dhe rreziku i inflacionit është pothuaj inekzistent, objektiv prioritar duhet theksuar ruajtja e normave të interesit në nivele të ulëta derisa ekonomia t’i rikthehet normës së saj potenciale të rritjes. Në këtë mënyrë, përcillet në treg një sinjal i një politike monetare stimuluese afatgjatë, gjë që ndikon në formimin e pritshmërive në afat të gjatë të agjentëve ekonomikë. Pra, krijon më shumë siguri planifikimi për një horizont kohor më afatgjatë.
Së dyti, mbajtjet e bankës qendrore të letrave me vlerë me risk të ulët (siç janë bonot e thesarit) duhet të rriten. Teorikisht, kjo sigurisht që e ka humbur kufirin midis politikës monetare dhe asaj fiskale, sepse në thelb Banka Qendrore duke blerë borxhet e qeverisë ka shtuar stimulin monetar në ekonomi duke vepruar njësoj si dhe Ministria e Financave, por një mënyrë e tillë veprimi përcjell më mirë sinjalet e politikës monetare duke ndikuar në të gjithë strukturën e maturiteteve të normave të interesit.
Së treti, përveç lehtësimit monetar që nënvizojnë veprimet sa më sipër, bankat qendrore po ndërmarrin veprime agresive edhe në lehtësimin e kreditimit. Kreditimi i sistemit bankar me “para të lirë”, kundrejt një kolaterali të sigurt, do të krijonte më shumë hapësira për një ristrukturim të kredisë për sipërmarrjet që ndodhen në vështirësi të përkohshme likuiditeti. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë për t’i dhënë një zgjidhje portofolit të kredisë problematike, të shkaktuara nga cikli rënës i biznesit, dhe do të risillte dinamizëm në veprimtarinë e sipërmarrjes private. Krijimi i një lehtësie të tillë kreditimi nga banka qendrore, për një, të themi periudhë pesëvjeçare, do të sillte më shumë stabilitet dhe siguri te sistemi bankar dhe reduktonte riskun dhe koston e operimit të saj. Madje, FMN thekson se lehtësi të tilla mund të shtrihen edhe për korporatat jofinanciare, duke nënkuptuar mbështetjen kundrejt kolateralit të korporatave ekonomike, siç mund të jenë ato të utiliteteve publike. Ky moment mund të shfrytëzohet kështu në një mënyrë pozitive për të nxitur krijimin e një tregu funksional të instrumenteve të borxhit, që janë një pjesë themelore e tregjeve kapitale.
Do të ishte naive të pretendohej se rruga nuk ka rreziqe. Ky riformatim i mënyrës së hartimit dhe zbatimit të politikës monetare është një risi, dhe ashtu si çdo eksperiencë e re mund të përmbajë disa rreziqe. Por edhe të mos stimulosh ekonominë, kur ekonomia ka nevojë për stimul, është, më e pakta të thuhet, po ashtu e rrezikshme.
Top Channel