Koncerti me titullin “Ku ka si ti o Shqipëria ime” mblodhi mijëra qytetarë në pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë duke e kthyer këtë qytet në qendër feste dhe gëzimi të enjten mbrëma.
Anëtari i filharmonisë së Vjenës, violinisti Shkelzen Doli erdhi në
qytetin e tij të lindjes bashkë me idene e realizimit të koncertit për
100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Ai mblodhi në skenën e krijuar enkas për këtë koncert dhjetëra miq gjakovarë, të gjithë artistë të cmuar dhe të respektuar në skenën e artit shqiptar. Koncerti nisi me një këngë të bukura të Shqipërisë së Mesme.
Violinisti Shkëlzen Doli ishte ne krye të orkestrës të krijuar për këtë koncert. Ai luajti disa pjesë muzikore ndërkaq që gjatë gjithë kohës shoqeronte potpuritë e kënduara nga këngëtarët e tjerë.
Dhe padyshim kjo sallë duket e vogël për artdashësit e shumtë në numër në koncertin i cili vijoi me këngë nga jugu i Shqipërisë për tu rikthyer sërish në veri dhe Gjakovë.
Një “kaba” me violinë nga Shkëlzen Doli kushtuar shokut të tij të klasës Yll Morina, i vrarë gjatë luftës emocionoi tej mase dhe mbajti në këmbë për disa minuta publikun në sallë.
Koncerti nuk kaloi pa pjesë humori nga humoristët po kështu nga Gjakova Sevdai Radogoshi dhe Besim Dina. Ky program artisitik nuk la anash as këngët arvanitase si dhe vallet kushtuar prijësit të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në shenjë falenderimi violinisti Shkëlzen Doli mori mirënjohje nga Komuna e Gjakovës si dhe abetaren e re pasi në njërën nga faqet është vendosur portreti i tij.
Top Channel