Disa prej artistëve më të njohur britanikë të 30 viteve të fundit, fitues të çmimit më prestigjioz të artit në Britani, Turner, kanë ardhur në Tiranë me anë të një ekspozite, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun pranë Galerisë Kombëtare të Arteve deri në datën 5 Gusht.
“Made in Britain” përfshin rreth 118 vepra në pikturë, instalacione, punime grafike, video-art dhe fotografi, të cilat janë pjesë e koleksionit të Këshillit Britanik. Punë të artistëve të njohur edhe në botë si Damien Hirst, Gary Hume apo Richard Deacon, janë përzgjedhur për tu bërë pjesë e ekspozitës, e cila pas një përpjekjeje të bërë nga Galeria e Arteve ka sjellë në kryeqytet artin bashkëkohor britanik.
“Është një lloj përmbledhje e arteve pamore britanike të 30 viteve të fundit. Kemi përzgjedhur vepra të ndryshme për të përcjellë sa më mirë artin në Britaninë e Madhe”, shprehet Delphine Allier, organizatore ekspozitash për Këshillin Britanik.
Përveç vlerave të tyre artistike, veprat përcjellin tek publiku një lloj botëkuptimi mbi ndryshimet e ndodhura në Britani gjatë tre dekadave të fundit dhe reflektojnë ndikimin e artit pamor në lidhje me këto ndryshime.
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, një prej kuratorëve të kësaj ekspozite, ka shpjeguar se shumë prej veprave janë përzgjedhur edhe sepse prekin realitetin tonë shoqëror, megjithëse e bëjnë këtë në mënyrë indirekte.
Ndërkaq, Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, i pranshëm në event, ka vlerësuar rolin e kësaj ekspozite në prurjen e artit bashkëkohor perëndimor në Shqipëri dhe ndikimin që ka te brezi i ri në njohjen e asaj çka ndodh jashtë vendit.
Top Channel