Top Fest 8 tashmë është pjesë e historisë! Radha i ka ardhur fituesit të edicionit të nëntë të muzikës moderne shqiptare!
Të paktën në klikimet online favoriti është vështirë të përcaktohet. Por në ç’pikë janë përgatitjet për finalen e 3 qershorit! Tashmë edhe autor, regjisori Ergys Lubonja është sërish në krye të punimeve.
“Kemi pasur shumë kërkesa për bileta dhe kjo tregon që finalja e Top Fest është mbase eventi më i pritur i vitit dhe po përpiqemi që publiku të mbetet i kënaqur. Do të jetë një skenografi multifunksionale, po ashtu edhe spektakli. Besoj se publiku do të përballet me shumë surpriza”, shprehet Lubonja.
Finalistët e nxjerrë pas muajve të tërë konkurim do të performojnë nën sfondin e krijuar nga Fatmir Minga. Për prezantimin e Ledion Liços dhe motrave Vjollca skenari i është besuar për të dytin vit radhazi autores së ‘Pasdite në Top Channel’, Dalina Buzi!
Të gjithë artistët do të prezantohen para një skenografie me frymë urbane, ndaj sot më i shqetësuari në Pallatin e Kongreseve është sigurisht njeriu që po sheh idenë e vet të bëhet realitet.
“Kur mbaron një skenografi ndjen kënaqësi për punën tënde, por shumë sshpejt koha kalon dhe vjen data për të përgatitur skenografinë e radhës. Në këtë moment ti mendon për atë që ke bërë dhe për përgjegjësinë që ke për të tejkaluar veten”, thekson Minga.
Një ndriçim special dhe elemente tre dimensionalë janë sa për të përmendur disa nga elementet e veprës më të fundit të Mingës, por sigurisht stafi që po përgatit finalen e madhe ka emocione të zakonshme.
“Kemi tre muaj që mendojmë për Top Festin. Kam arritur në përfundimin se për të bërë një punë të mirë duhet të jesh i qetë dhe modest”, përfundon Fatmir Minga.
Top Channel