Për Michelle Obama së shpejti në krye të Shteteve të Bashkuara do të jetë një grua. “Nuk kam asnjë dyshim, shumë shpejt do të shohim një grua në Dhomën Ovale”.
Zonja e Parë amerikane me anë të një videoje të publikuar në Barackobama.com iu përgjigj pyetjeve të adresuara kundrejt saj nga rrjeti social Twitter. Në mesazhin e saj, zonja Obama u jep kurajo të gjitha grave dhe vajzave amerikane, “ashtu siç bën edhe me vajzat e saj”.
“Ashtu si u them gjithmonë vajzave të mia, femrat mund të arrijnë gjithcka, cdo objektiv të mundshëm. Nuk ka limit në objektivat që mund të arrijmë. Vetë administrata Obama është e mbushur plot me femra të jashtëzakonshme në punën që bëjnë”, deklaron Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara.
Në fakt e para që e provoi e që iu afrua më shumë të qenurit femra e parë presidente e Shteteve të Bashkuara, ishte Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton. Por zonja Clinton humbi në garën brenda demokratëve përballë bashkëshortit të Michelle, presidentit Obama, se kush do të sfidonte republikanët në zgjedhjet e 2008-ës.
Megjithatë, edhe zgjedhjet e 2008-ës sollën një risi…presidentin e parë me ngjyrë, ndërsa për një grua në krye të Shteteve të Bashkuara duhet të presim të paktën edhe një mandat tjetër 4-vjeçar, pasi në garën e nëntorit të këtij viti janë dy meshkuj, presidenti aktual, Barack Obama dhe sfidanti republikan, Mitt Romney.
Top Channel