Fëmijët, festë dhe politikë

01/06/2012 00:00

Politika në Shqipëri ka përfshirë prej kohësh edhe fëmijët. Edhe festa e
1 Qershorit nuk i ka shpëtuar politikës, duke patur për protagonistë,
si fëmijët ashtu edhe politikanët.

Nen kujdesin e Drejtorise Arsimore, pothuasje te gjithe nxenesit e shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit kanë mbushur bulevardin kryesor, me motivin e festës së 1 Qershorit, por me qëllimin kryesor, se në orën 11.30 ata do t’i takonte kryeministri Sali Berisha.

Me dy gishta lart dhe me thirrje për Kryeministrin nxënësit e shkollave kanë festuar 1 Qershorin. Ndërkohe që kryeministri Berisha ka uruar nga Tirana, të gjithë fëmijet e Shqipërisë.

“Në këtë ditë, duhet të urojmë çdo fëmijë shqiptar së pari, duhet të përqafojmë çdo vajzë e djalë, çdo fëmijë të këtij vendi dhe të urojmë që gëzimi që ai ndjen sot në zemrën e tij, të jetë një gëzim që do ta shoqërojë gjithë jetën”, tha Berisha.

Në një tjetër mjedis, në ditën e festës së tyre, fëmijët kanë brohoritur sërish për një tjetër politikan, Edi Ramën.Kryetari i opozites Edi Rama ka festuar me femijët e Njësise Bashkiake numër tetë në kryeqyet. Ai ka uruar për më pak varfëri e fëmijë që punojne dhe mbeten analfabete.

“T’u them të gjithë prindërve se ne jemi shumë të angazhuar që të bëjmë gjithçka është e mundur dhe më të mirën do të bëjmë, që cdo 1 Qershor që vjen, të ketë gjithnjë e më pak fëmijë të varfër, fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë për shkak se prindërit, varfëria i pengon t’u blejë librat”, tha Rama.

Kryetari i opozites ka shpërndarë dhurata për fëmijët pjesëmarrës në aktivitetin e organizuar posaçërisht për ta, me rastin e festës së 1 Qershorit

Presidenti i Republikës nga ana e tij priti një grup fëmijësh jetimë në Pallatin e Brigadave. Në një veprimtari të organizuar edhe nën kujdesin e Zonjës së Parë, në prani të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe drejtuesve të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve, Presidenti dekoroi me Medaljen e Mirënjohjes dhe Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” tre aktivistë të integrimit të fëmijëve jetimë.

Top Channel