Vajza që dashuron baletin dhe artin skenik

31/05/2012 19:55

“Kjo është karrigia ku unë ulem prej tetë vitesh.”

Pamela Cerma është 19-vjeçarja që nuk ka lënë absolutisht asnjë shfaqje baleti pa parë në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Ishte ende e vogël kur pa një grup balerinash duke vallëzuar dhe që atëherë nuk u shkëput dot më nga magjia që të dhuron baleti.

“Mundohesha t’i imitoja balerinat sepse më pëlqenin shumë me ato fustanet e fryra me xixa”, shprehet Pamela.

Është në vitin e parë të studimeve për gazetari, por i ka mbetur peng që nuk provoi të realizonte ëndrrën e saj për tu bërë balerinë.

Sa herë ka mundësi dhe kohë duket sikur këmbët e çojnë vetë në sallën e provave. Ulur në gjysmëerrësirë shikon perfeksionimin e numrit të baletit.

“Baleti është një nga zhanret e mia të preferuara dhe gjithmonë e kam ndjekur me pasion”, thekson 19-vjeçarja.

Fanatizmi për të ndjekur çdo shfaqje baleti ka arritur majat kur vëllai i saj i vogël është regjistruar në Shkollën e Baletit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA