
E ardhmja e Hulian Rubio Sançez te Tirana është vënë në rrezik serioz.
Kërkesat e trajnerit spanjoll për rinovimin e kontratës janë konsideruar
të ekzagjeruara dhe tashmë, klubi bardheblu po mendon për një plan “B”.
Në krye të listës së kandidatit të mundshëm, në rast të dështimit të
tratativave me Rubion, është rikthimi i Mirel Josës.
A do të rinovojë Tirana me Hulian Rubio Sançez? Kjo është pyetja që po shqetëson ambientin bardheblu, i cili i ka kthyer sytë nga drejtuesit e lartë të klubit, në pritje që ata të ndërtojnë një skuadër të denjë për të rikthyer Tiranën te titulli kampion.
Për momentin, situata mes trajnerit që udhëhoqi 24-herë kampionët e Shqipërisë në sezonin e fundit drejt fitimit të trofeut të vetëm, Kupës së Shqipërisë, dhe sigurimit të një vendi që të çon në Europa League, duket se po thellon dasitë.
Edhe pse lojtarët theksojnë se e duan rikthimin e spanjollit, realiteti te Tirana duket tjetër. Fatura financiare e Rubio Sançezit ishte shumë e lartë sezonin e kaluar, minimalisht 72000 euro si rrogë, plus shpërblimet për fitoren e dy trofeve apo bonuse të tjera. Burime të besueshme pranë drejtuesve bardheblu bënë të ditur se negociatat për rinovimin e kontratës së Rubios kanë hasur njëfarë ngërçi, pasi mes ofertës dhe kërkesës ekziston një hendek i madh. Trajneri kërkon 170 mijë euro në sezon, ndërsa klubi ofron vetëm 100 mijë euro.
Çdo rrugë e mesme (te rreth 150 mijë eurot) mund të jetë një faturë edhe më e lartë për sezonin e ri, nëse bardheblutë pranojnë që spanjolli të vazhdojë. Ndaj një kandidaturë alternative po fiton gjithnjë e më shumë terren. Bëhet fjalë për Mirel Josën, trajnerin i cili ka drejtuar më parë Tiranën, por që ka qenë edhe në stolin e Vllaznisë, Elbasanit, Teutës dhe Shkumbinit. Josa ka pranuar se ka biseduar me drejtuesit e Tiranës dhe ka arritur një marrëveshje në parim. Kjo marrëveshje do të hynte në fuqi, nëse trajneri Rubio nuk do të kthehet. “Me drejtuesit kam biseduar. Në parim kemi rënë dakord për të biseduar sërish, në rast se trajneri Hulian Rubio nuk kthehet. Kemi vendosur të mos bëjmë asnjë hap deri në momentin që do të qartësohet situata”, është shprehur Josa. Ndaj Josa duket afër. Gjithsesi, gjithçka mund të ndodhë, ndonëse ish-lojtari i Tiranës dhe Kombëtares së viteve ‘80 duket si favorit për të drejtuar ekipin në sezonin 2012-2013. Tregu i trajnerëve nuk duket i pasur për momentin, ndërsa Shpëtim Duro vendosi të shkojë në Shkodër dhe Shkëlqim Muça mbetet ende në Vlorë. Ish-trajneri i Tiranës, Nevil Dede, ishte në Gjirokastër sezonin që u mbyll, ndërsa një tjetër ish-trajner, si Sulejman Starova, ka qenë drejtor teknik te Teuta në Durrës.
Top Channel