Frekuentuesi më i rregullt i Galerisë Kombëtare të Arteve

31/05/2012 19:20

1968 është viti kur ka qenë për herë të parë në një ekspozitë e që atëherë vazhdon të jetë frekuentues i rregullt i galerive, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që ka mundësinë të shkojë.

Kozma Dashi është inxhinieri elektrik që adhuron artin, librin dhe vizitat në galeri.

“Duhet të kesh pasion për artin dhe jo ta ndjekësh sepse të gjithë po e ndjekin. Unë kam pasur talent në vizatim dhe e pëlqeja të bukurën”, shprehet Dashi.

Dikur nuk kishte mundësi të koleksiononte dhe gjithçka që shihte e shtonte në koleksionin e tij virtual.

Pikturat e Simon Rrotës që datojnë nga viti 1925 janë ndër më të vjetrat dhe më të vyerat e koleksionit të tij, por nuk mbeten pas as veprat e piktorit Kodra, të cilat ai duket sikur i ndjek dhe do t’i ketë me patjetër në shtëpinë e tij.

“Tani kujdesem për pikturat, mundohem që për çdo autor të krijoj skedën e kështu me radhë. Artistët janë njerëz që gatuajnë diçka nga shpirti i tyre dhe ne duhet të ndjejmë aromat e përbërësve që ata hedhin në artin e tyre”, thotë Dashi.

Është fanatik i asaj që ka dhe duket sikur do ta ketë vetëm për vete, aq sa i mbron me të gjitha forcat sikur të ishin fëmijët e tij të vegjël.

“Koleksionisti bën gjëra jo të zakonshme. Krijon një jetë paralele që e jeton në çdo sekondë”, tregon Dashi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA