
Neymar udhëhoqi fitoren e Brazilit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një ndeshje miqësore të zhvilluar në FedExField, në Merilend.
Superioriteti teknik dhe zotërimi i topit bënë që pesë herë kampionët e botës të mposhtnin 4-1 vendasit.
Neymar (11-metërsh), Thiago Silva, Marcelo dhe Pato ishin autorët e golave për Seleçaon, ndërsa goli i vetëm për amerikanët u shënua nga Gomez.
Kjo fitore ishte e gjashtëmbëdhjeta në shtatëmbëdhjetë ndeshje që Brazili ka luajtur ndaj SHBA-së. Ekipi karioka ka humbur vetëm një takim në këto përballje duke shënuar 35 gola e pësuar vetëm 11.
Tashmë Brazili do të luajë të dielën ndaj Meksikës në Arlington (Teksas) dhe më 9 qershor ndaj Argjentinës në Nju Xhersi për të mbyllur turin amerikan.
Top Channel