ANDREA STEFANI – Kandidati im është i paanshëm! – thërret Berisha. Po
kush mund ta besojë një gjë të tillë veç fanatikëve të tij? Edhe sikur
kandidatura të qe vërtet ashtu.
Po përse? Faji është i vetë Berishës që nuk ka lënë gur pa lëvizur në këto 20 e kusur vjet politikë, që t’i bëjë të gjitha institucionet e pavarura të shndërrohen nga kufizuese dhe balancuese të pushtetit të kryeministrit, në vegla të tij. Pra ndërsa shihet qartë se Berisha nuk ka hequr dorë nga ky gjakim le të supozojmë, për një moment, se ai do të ofronte vërtet një kandidaturë të paanshme. Edhe në një rast të tillë, Berisha do qe i dënuar të pësojë fiaskon e njeriut të përrallës që kish abuzuar aq shumë me alarme të rreme për ujkun, sa kur bisha vërtet u hodh mbi bagëtinë, alarmin nuk e besoi askush. Kjo situatë mosbesimi në krijimin e së cilës është investuar vetë, mund të kapërcehet vetëm nëse Berisha pranon si konsensuale një kandidaturë të ofruar nga kampi opozitar. Të pranosh apo të kundërshtosh që oferta për presidentin duhet të origjinojë nga kampi opozitar, është të pranosh apo të mos pranosh një qeverisje me pushtete të ndara. Veprimi politik bëhet kështu lakmus i dedikimit të shpallur ndaj demokracisë liberale.
***
Për të arritur tek një president konsensual duhet që për herë të parë në historinë e tranzicionit, Berisha duhet të japë pëlqimin për një kandidaturë të ofruar nga kundërshtarët e tij. Mund të marrë shembullin e kryeministres gjermane, Angela Merkel, e cila pranoi që në postin e Presidentit të ngjitej një figurë opozitare. Berishës i kërkohet më pak. Që presidenti të jetë jo një politikan i majtë, por një kandidaturë e ofruar nga opozita. Berisha mund të marrë shembull edhe nga ish-kryeministri, Fatos Nano, që edhe pse i kishte mbi 84 vota në Parlament, edhe pse i kishte të gjitha kushtet të votonte kë të donte duke u justifikuar me faktin që një gjë të tillë ia lejonte edhe Kushtetuta, pranoi të bëhej president Alfred Moisiu, duke i hapur rrugë konsensusit. Mund të thonë se shumica e atëhershme ishte produkt i deformimeve që solli “dushku”. Ndoshta, por ndërkaq pyesim: Po mbi legjitimitetin e shumicës së sotme a nuk bien hijet e konkluzionit të Departamentit Amerikan të Shtetit se në Shqipëri ekziston dukuria e minimit të së drejtës së qytetarëve për të vendosur me votë fatet e tyre? Berisha nuk i ka thënë asnjëherë “po” një kandidature për president të ardhur nga kampi kundërshtar. Është koha që ta bëjë këtë dhe të mos fshihet pas propagandës qesharake me burra “seriozë”, me “integritet” apo “patriotë” që servir. Sepse këto janë vlerësime subjektive që çdo parti mund t’i formulojë edhe për kandidatin më të papërshtatshëm për president. Të mburrësh kandidatin tënd është si të mburrësh veten tënde. Dhe njerëzit nuk vlerësohen nga ato që thonë për veten. Përveç kësaj, sot shtrohet nevoja e një patriotizmi të veçantë që ka të bëjë me integrimin e Atdheut në Europë me anë të një qeverisjeje ku pushtetet janë të ndara. Siç është çdo qeverisje në Europë. Një lloj patriotizmi që vetë Sali Berishës i mungon. Pra procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të bazohet jo në vlerësime subjektive, por duhet të jetë në funksion të emergjencave më objektive. Dhe një emergjencë themelore për integrimin është ndarja e pushteteve. Presidenca, gjyqësori, hetimi, zbulimi dhe kundërzbulimi e të tjera rrafshe dhe institucione duhet, sipas rastit, të bëhen të pavarura nga qeveria ose të mbeten të pavarura nga qeveria. Një shkallë pavarësie që do të diktohet shumë nga fakti nëse presidenti i ardhshëm do varet nga Kushtetuta apo nga Kryeministri. Kujtdo që shpreson se Berisha mund të ofrojë një kandidaturë që shkon kundër gjakimit të tij për t’i kontrolluar të gjitha pushtetet mund t’i thuhet: për ty flet përralla e ujkut me mëlçitë!
***
Jo vetëm këmbëngulja e pafjetur e Berishës për të kontrolluar gjithçka është arsyeja që kandidatura për një president konsensual duhet të dalë nga opozita. Është dhe gjendja reale e pushteteve ajo që dikton një gjë të tillë. Berisha ka ekzekutivin dhe shumicën e legjislativit. Në këto kushte, është më se normale që një figurë kyçe e baraspeshimit të pushteteve të propozohet nga kampi i opozitës. Një figurë që merr miratimin e opozitës së kërcënuar nga tirania e shumicës dhe autokratizmi i afishuar i kryeministrit, ka shumë më tepër shanse të jetë e pavarur nga kryeministri se një kandidaturë e propozuar nga kryeministri. Prandaj në vend se të nxitonte të propozonte një kandidaturë, Berisha duhet që të nxiste një ofertë nga opozita. Për një gjë të tillë duhet të këmbëngulte edhe Ilir Meta nëse vërtet e ka me sinqeritet që presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë e pranuar jo vetëm nga shumica qeverisëse, por edhe nga opozita. Një objektiv që ka mundësi të arrihet vetëm nëse kandidatura ofrohet nga kampi opozitar. Është e padrejtë që t’i kërkosh një opozite të ndodhur për 7 vjet rresht nën presionin tiranik të pushtetit ta injorojë këtë përvojë dhe të besojë pa paragjykim një kandidaturë të ofruar nga po ai pushtet. Në këto momente kur qartazi rreziku kryesor është përqendrimi i pushteteve në duart e kryeministrit, dhënia e konsensusit për një kandidaturë të dalë nga kampi opozitar është lëvizja e vetme politike që do t’i shmangte të gjithë paragjykimet. Një lëvizje që ngërthen brenda vetëm një kusht, atë që kryeministri Berisha të heqë dorë nga ambicia për të pasur president një kukull të tijën dhe jo një kufizues të pushtetit qeveritar, ashtu sikundër e kërkon Kushtetuta. Dhe nëse Berisha vazhdon në taktikën e imponimit të kandidaturave të ardhura nga shumica, që u dashkan pranuar nga pakica si të paanshme vetëm sepse Berisha dhe shumica thotë që janë të paanshme, ky do të jetë treguesi më i qartë se ai nuk ka hequr dorë nga dëshira për të pasur një president të pushtetit por jo të shtetit. Një president që do dhunojë frymën e Kushtetutës, parimin e ndarjes së pushteteve (pra edhe integrimin në Europë) edhe pse do të zgjidhet me vetëm 71 ose ca pak më shumë vota, sipas germës së Kushtetutës së deformuar në prill të vitit 2008.
Top Channel