Presidenti nuk është plaku i Vitit të Ri

30/05/2012 00:00

MOIKOM ZEQO – Provat e politikës shqiptare lidhen me atë vetë, jo aq me
popullin shqiptar. Ky është dallimi i parë, por jo i vogël. Pra i përket
rrafshit të politikanëve, që nuk është rrafshi i popullit.

Pra bëhet fjalë që 140 përfaqësues të vendosin për 3 milionë shqiptarë (nëse nuk jemi statistikisht më pak për fat të keq!).

Por meqenëse Kushtetuta e parashikon kështu zgjedhjen e presidentit, duhet ta pranojmë këtë konvencion politik. Pikërisht në këtë hulli duhet edhe të arsyetojmë më konkretisht. Shikoni ç’bëhet këto ditë për zgjedhjen e presidentit! Është një testim, një letër lakmuesi për të parë përmasat dhe kapacitetet profesionale dhe morale të politikës. Dhe sa qesharakë që janë këta politikanët mandatorë të politikës së sotme! E dinë veten më të mençur se populli, por është e kundërta! Ky iluzionizëm i ka infektuar keq politikanët, tërë klasën politike shqiptare. Mediat, që janë instrumentet e tyre, dhe shumë pas, ose aspak të qytetarëve, japin telenovelën e zgjedhjes presidenciale, pa harruar nuanca, hollësira, komente idiote, apo të sofistikuara deri në alergji. Flitet për gjithçka dhe në realitet për asgjë. Kaq shumë llafollogji politike, përplasje, sherr në boshllëk. Emrat e kandidaturave ende nuk zbardhen, për të gjykuar për to paraprakisht, por debatohet pa emra, sikur subjekti i zgjedhjes presidenciale është pikërisht mungesa e emrave konkretë. Pra një abstragim i tejskajshëm, një irealitet virtual!

Disa thonë në mënyrë patetike se është më i rëndësishëm procesi në vetvete se sa emri i kandidatit për president, pra forma më e rëndësishme se përmbajtja. Një formalizëm elegant, zhurmues, por shterp.

Të tjerë flasin për një figurë konsensuale (konsensuale për kë? Për popullin? Për partitë e mëdha? Kush i pyet partitë e vogla!) Konsensualiteti nuk ka asnjë përcaktim juridik, por është më tepër një metaforë politike.

Të tjerë artikulojnë idenë, se Presidenti të vijë nga stafi, bota, klubet, klani i politikës. Kundërshtuesit thonë të kundërtën. Presidenti të vijë nga bota akademike, ose shoqëria civile.

Po sipas cilave standarde? Ku janë të përcaktuara standardet?

Është fjala për një kazino politike? Hedhja në ruletë e disa emrave pak të njohur, ose aspak të njohur? Të fitojë kush të fitojë? Mirë që nuk studiohen dhe nuk merren në konsideratë dhe horoskopët, për të ngjizur kështu astrologjinë e lashtë me politikën moderne (ose që mëton të jetë moderne!).

140 deputetë dëgjojnë si guhakë vetëm tri mediume, kryetarët e PD, PS dhe LSI, që zhvillojnë shamanizmin politik të gjetjes së emrit të presidentit të ardhshëm.

Çdo gjë mund të zgjidhet në momentin e fundit, sot askush nuk e di emrin fitues, as Berisha, as Rama, as Meta (për të tjerët nuk pyet kush), por ama në raundin e fundit të votimit do të ketë padyshim një emër. Ja serioziteti dhe vizioni voluntarist dhe orakullor i politikanëve tanë! Do të votojnë në fund për emrin që nuk e kanë ditur që në fillim. Dhe këtë e mistifikojnë si proces, madje proces normal. Ç’demokraci!

PS anatemon PD, nga ana tjetër PD akuzon PS, LSI lot me fijet e brishta dhe të këputëshme të ekuilibrit (dhe çekuilibrit) qeverisës. Tendosen nervat, tregohet forca, opinionbërësit dhe mediat klienteliste garojnë, gulçojnë, turfullojnë, turbullojnë opinionin publik, për të krijuar situatën e gjoja një shqetësimi, që është thjesht dekorativ, pëlcitës, zhurmëtar, por pa asnjë kuptimshmëri të vërtetë.

Të gjithë kërkojnë një president. Nuk e dinë se kush është, por ama e kërkojnë, e kërkojnë pa pushim, me përkushtim shembullor. Askush nuk thotë se pakti për ndryshimin kushtetues për presidentin nga kreu i PS dhe i PD konceptualisht, mendërisht, politikisht është ideja e vërtetë që kanë dy gladiatorët e mëdhenj të politikës për Presidentin e Republikës.

Askush nuk flet për një ndryshim, për të riparuar dhe rikonceptuar si duhet dhe me një dinjitet të vërtetë figurën e presidentit, duke bërë një pakt të ri, të ndryshëm dhe më kushtetues se pakti aktual. Askush! Ajme!

Ndiqini debatet e egra dhe të ashpra! Asnjë fjalë për statusin e cunguar dhe të kufizuar, rakitik, dekorativ, kushtetues të presidentit, pra kërkohet një president sipas standardizimit të marrëveshjes së paktit PS dhe PD. Në 1994-n, PS me kurajë dhe vizion e fitoi referendumin për ndryshimin e Kushtetutës të iniciuar ahere nga presidenti Berisha, duke rrëzuar variantin e deformuar për institucionin e presidentit që gjeti mirëkuptimin e plotë midis PS dhe PD më vonë me shpejtësi, pa debate, pa referendum. Ky është komediciteti burlesk i të dyja palëve kontraktuese të paktit të dyshimtë.

Konceptualisht dhe politikisht, PS fitoren e madhe të vitit 1994 për Kushtetutën e rrënoi, e shndërroi në një disfatë të pariparueshme, gati dhjetë vjet më vonë, marrëzisht dhe me një diletantizëm të pabesueshëm!

Kështu shihet e vërteta në sy! E vërteta nuk pëlqehet por është shumë më e mirë, më e saktë se iluzioni, ose halucinacioni, që politikanët krijojnë për gjoja pagabueshmërinë e tyre! A janë politikanët të pagabueshëm? Kush e vë në dyshim këtë? Kush guxon të dyshojë. Dhe kush e merr në konsideratë nëse guxon të propozojë diçka të papërputhshme me politikanët? Pse janë politikanët?

Tani të tërë politikanët e kërkojnë një president, por e konceptojnë atë si Plakun e Vitit të Ri, miqësor, të urtë, përherë ceremonial, që shpërndan dhurata, medalje prej teneqeje të praruara, dekorata të pashoqëruara me vlera monetare, por as me vlerësim të vërtetë në shoqërinë ku kulti i parasë dhe politikës ka shkatërruar dhe po shkatërron statusin e njeriut të kulturës, status, që realisht, është zero nga politika e satanizuar e ditës.

Presidenti përfaqëson kredencialet e shtetit shqiptar, nuk mund të jetë një manekin, as një mutant i politikanëve mediokër, që e konceptojnë që në fillesë figurën e Presidentit shumë më pak të rëndësishëm se veten e tyre.

Cili nga politikanët e rëndësishëm sot ka vërtet ndërmend të zgjedhë një president, një figurë më të lartë, më sipër dhe më me kapacitet intelektual dhe moralitet më cilësor, më të spikatur, pra krejt të ndryshëm dhe të dallueshëm prej tyre? Cilido që do të zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë – dhe padyshim që një i tillë do të zgjidhet, do të urohet, do t’i dërgojnë lule, ose jo, ose thjesht do ta përshëndesin për kortezi, për mirësjellje në publik, në mediat, përballë fotografëve dhe kamerave, ose jo, pastaj do ta lënë presidentin në fatin e vet, do t’i tregojnë dhëmbët nëse ai i kundërshton, u kthen mbrapsht projektligjet e votuara, dekretet, do t’i tregojnë me kanosje me tërsëllimë germat (dhëmbët) e Kushtetutës, për t’i ngulitur në mendje se nuk mund të ketë një trup të madh për një kostum të ngushtë.

Rrobaqepësit e këtij kostumi presidencial janë ata që janë, (ose do të jenë) kryetarët e partive të mëdha!

Kështu që merakosja e sotme mediatike mund të shndërrohet fare lehtë në një paradoks dhe indiferencë cinike të nesërme.

Dita e shpalljes së presidentit është dita e tij e parë dhe jo njëkohësisht dita e fundit e respektit dhe e vlerësimit, apo e ndërprerjes së vijimësisë së motiveve substanciale pse u zgjodh ky president.

Presidenti, e përsëris, nuk është Plaku i Vitit të Ri, të cilin konvencionalisht kinse e besojnë se ekziston, kinse se është i vërtetë, vetëm në ditën kalendarike të ndërrimit të viteve, për t’i bërë qejfin fëmijëve naivë dhe pastaj e harrojmë, për ta kujtuar përsëri atë në datën rituale..

Nëse e konceptojmë kështu presidentin, ahere është fare kot të shqetësohemi për emrin e një figuranti.

Të vonuar, kapriçiozë, mosbesues ndaj njëri-tjetrit, përherë konfliktualë, politikanët shqiptarë vijnë në raundin e parë të votimit për presidentin, pa asnjë emër konkret, konfuzë dhe të papërcaktuar, ndërkohë që kishin muaj të tërë, pra shumë kohë në dispozicion, që duhej të ishin përgatitur dhe menduar për aksionin dhe institucionin politik të presidentit.

Mund të vepronin ndryshe, por parapëlqejnë të lëvizin, të sforcohen në momentin e fundit, pikërisht ahere, kur nuk ka më kohë, apo kur koha është vetëm në mbarim, në fund. Emergjenca e çastit të fundit është sindroma e tyre e spikatur!

Kjo është prova e politikanëve! Ndaj populli dhe elektoratet duhet të ndërgjegjësohen se kanë përgjegjësi historike, morale dhe konceptuale për politikanët që i zgjedh dhe i voton.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA