Kaka’ mund të rikthehet tek Sao Paolo nëntë vjet pas largimit nga ky ekip. Të enjten e kaluar mesfushori i Real Madrid është takuar në Brazil me një nga drejtuesit e ish-skuadrës së tij.
Sipas ‘AS’, Kaka’ do e shihte me sy të mirë rikthimin në vendlindje për dy arsye. Botërori i vitit 2014 do të luhet në Brazil dhe rikthimi i tij në këtë vend do e sillte më pranë atmosferës dhe tifozëve të Seleçaos. Gjithashtu nëse vazhdon të luajë një rol dytësor në Spanjë atëherë mund të rrezikohet edhe grumbullimi për këtë event.
Hapi i radhës i Sao Paolo do të jenë ofertat konkrete për klubin madrilen. Paga për futbollistin do të jetë 9 milionë euro në sezon, por marrëveshja me Real Madrid do të jetë shumë më e vështirë sepse klubi brazilian nuk mund të arrijë kurrë të ofrojë 25 milionë euro për blerjen e tij, aq sa ofron PSG.
Klubi francez do të jetë rivali kryesor i Sao Paolos për blerjen e ish-lojtarit të Milanit, klub me të cilin Kaka’ fitoi edhe Topin e Artë.
Top Channel