Cmimet “Kult” 2012

30/05/2012 00:00

Gara e përvitshme për çmimin e personalitetit të vitit ka mbledhur së bashku në mbrëmjen gala të organizuar për të tetin vit radhazi nga Akademia Kult, 40 prej personazheve më të rëndësishëm në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës.

Kanë qenë 10 kategoritë ku 40 personalitetet janë nominuar dhe më pas janë nderuar me çmimet Kult si më të mirët e vitit në fushat përkatëse, të përzgjedhur nga juria e Akademisë. Moderatorët e spektaklit këtë herë kanë qenë aktori Mevlan Shanaj dhe këngëtarja Rovena Dilo.  

Libri i Ben Blushit “Shqipëria” është cilësuar si libri më i mirë në kategorinë e Librit Artistik. Ndërkaq Altin Basha ka marrë vlerësimin si regjisori më i mirë me Amadeus dhe  roli i Poncias te “Shtëpia e Bernarda Albës” i ka sjellë Taulanda Jupit sukses, pasi i është dhënë trofeu i aktores më të mirë. Ceremonia, e cila këtë radhë u zhvillua në sallën e Universitetit të Arteve, është ndjekur live nga publiku gjatë transmetimit direkt në kanalin T të platformës Digitalb.

Ndërkaq performanca muzikore përshëndetëse e 4 fituesve të ‘Voice of Albania’, një program ekskluziv i Top Channel në Shqipëri, është pritur me ovacione në sallë.

Një tjetër e veçantë e spektaklit ishte edhe interpretimi i vargjeve të Vojsava Nelos dhe të madhit Lasgush Poradeci nga gjigandia e skenës dhe ekranit, aktorja Margerita Xhepa.

Akademia ka vendosur të vlerësojë dhe ata që kanë dhënë një kontribut të paçmuar për artin dhe kulturën shqipe përgjatë karrierës së tyre të suksesshme, por që fatkeqësisht kanë ndërruar jetë gjatë vitit të kaluar.

Personalitete si Nikolet Vasia, Pushkin Lubonja apo Ardian Klosi, janë përkujtuar gjatë mbrëmjes me anë të një klipi in Memorium.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA