Presidenti që do çuditet edhe vetë

29/05/2012 00:00

FATOS BAXHAKU – Do jetë një president (ose presidente) i çuditshëm ky që pritet të zgjidhet që nga nesër e tutje.

Më e para nga të gjitha do të jetë i befasuar dhe pyetja e parë që do t’i bëjë vetes do jetë me siguri: Po mua më gjetën xhanëm? Berisha para do ditësh theksoi se ëndrra për t’u bërë President është një ëndërr vërtet e madhe, porse mund të jetë a të ketë qenë kështu në rastin e Berishës, sepse kështu si kanë vajtur e po shkojnë punët, posti i kreut të shtetit shqiptar nuk është më për t’u lakmuar, përveçse prej ndonjërit që nuk e njeh ende atë shprehjen e vjetër të Shatobrianit: Ambicia e pabazuar në talent përbën krim.

Në radhë të parë, deri më tani Presidenti nuk është emër, nuk është person. Ai na qenka një proces. Të dyja palët e mëdha në lojë nuk u lodhën së përsërituri se “rëndësi ka procesi, pastaj emri”. Në fakt, e gjithë loja bëhej për një emër, vetëm për një emër, për një person konkret prej mishi e kockash, njësoj si ne të gjithë. Presidentit të ri do t’i duhet shumë kohë derisa të mësojë veten se edhe ai e ka një emër, një histori, aftësi, ideale e kështu me radhë. Porse sa ai të bëjë këtë kapërcim gjigand filozofik, nga një proces në një person konkret, ka shumë gjasë që të kalojë do kohë fort e vlefshme.

Deri më tani Presidenti është parë edhe si një lloj kavie politike, si një miush i bardhë që hidhet në një enë qelqi për t’i studiuar reflekset në kushte të ndryshuara nga e përditshmja. Nga sjelljet e miushit “President” partitë matin forcat, kontrollojnë veten, bllokojnë njëra-tjetrën, akuzojnë, skërmiten, mbrohen, shohin se cilët kanë aleatë të vërtetë dhe cilët ua kanë “me të futur”. Miushi presidencial është bërë kështu një lloj matësi paraelektoral, thjesht një tregues se si po shkojnë tendencat politike të miletit shqiptar.

Presidenti deri më tani është lidhur fort, më shumë për propagandë, se sa në të vërtetë me një koncept që jo të gjithë e kanë të qartë, me unitetin kombëtar. Në shumicën e rasteve, pikërisht ata që nuk bëjnë asgjë për ta mbajtur të fortë këtë unitet, e ngatërrojnë, mbase nga padija, mbase me dashje, unitetin kombëtar, që ekziston mes shqiptarëve pavarësisht prej tyre, me figurën e një garanti të unitetit që tashmë ekziston, sepse një popull që i thotë vetes popull assesi nuk e vë më në diskutim unitetin e tij. Nga injoranca, ose nga qëllime të vogla partiake është krijuar ideja se Presidenti i ardhshëm duhet të na qenka një figurë që të bashkojë të gjithë shqiptarët rreth vetes, njësoj sikurse Skënderbeu bashkoi të gjithë arbrit kundër osmanëve. Në këtë mënyrë, sa për sy e faqe në fakt, Presidentit që në fillim i hidhet një barrë e madhe: të bashkojë një popull që nuk na qenka edhe aq i bashkuar. Është njësoj sikur të thuash që Hollande të bëjë për vete edhe afër gjysmën e votuesve francezë që votuan kundër tij. Me këto lojëra fjalësh që janë vërtitur këto ditë pa pushim nga politika është synuar vetëm një gjë: të shtyjë zgjedhjen e Presidentit deri në kalendat greke, me frikën në zemër se do të jetë kundërshtari politik ai që do ta fitojë këtë garë, këtë eksperiment të rëndësishëm politik. Meqë jemi në prag të Kampionatit Europian të Futbollit duket sikur të dyja “skuadrat” në fushë, PD e PS, prej të cilave asnjëra nuk është e bindur në fitore, kërkon ta shtyjë barazimin sa më shumë, deri në kohën shtesë e përtej. Pastaj, kur të gjuhen penalltitë, atëherë janë të dyja të justifikuara. Penalltitë janë punë fati, apo jo!?

Presidenti i ri, nëse arrijnë ta zgjedhin, sigurisht, do të jetë në qendër të lakmive, xhelozive, dyshimeve, mosbesimit, dyshimeve. Çdo hap i tij, çdo dekorim, çdo emërim, çdo dekret do shihet si një lojë e organizuar nga ata, “krahu tjetër”. Stërzgjatja e debateve mbi Presidentin tregoi vetëm një gjë, që ky post konsiderohet si një post për t’u marrë për vete, njeriu presidencial si një person që është për t’u pasur në krahun tënd, si një njeri që duhet të qëndrojë sa më urtë që të jetë e mundur dhe që të shfaqet në publik vetëm rrallë e tek. Pjesa tjetër, “njeriu i të gjithëve”, “simboli i unitetit”, “konsensusi” nuk janë gjë tjetër veçse përralla me mbret që përdoren për të fshehur frikën se mos pushteti rrëshqet nga duart. Ja pra edhe një siklet tjetër, i madh presidencial.

“Ne do zbatojmë Kushtetutën, pikë për pikë”. Kjo ka qenë një ndër fjalitë më të përdorura gjatë debateve politike të kohëve të fundit. Aq shumë është stërthënë kjo fjali, saqë pak nga pak u krijua ideja sikur ndokujt i kishte shkuar ndër mend edhe ndonjë zgjidhje tjetër, jashtë Kushtetutës. Aq afërmendësh është zbatimi i Kushtetutës në një vend që e quan veten si demokratik, saqë edhe vetë përmendja e emrit të saj shpesh është e pakuptimtë. Është njësoj sikur një ditë të bukur të zgjohesh në mëngjes e të vendosësh: Po, unë sot do të marr frymë! Dhe ndokush, që të ndodhet aty pranë, të të thotë me kënaqësi: Vërtet që sot na e bëre qejfin të gjithëve! Përdorimi kot më kot i termave hijerëndë është bërë tashmë një nga veçoritë e theksuara të një pjese të klasës politike shqiptare. Më mirë të përdorin fjalë më pak të rënda e të hedhin hapa më të mbarë, po nejse, tashmë çoku edhe jemi mësuar.

Sikurse e shihni, telashet presidenciale nuk kanë të sosur. Në këto pak radhë përmendëm vetëm disa prej tyre. Imagjinoni pak sikur të ishim marrë me të gjitha. Në fillim të këtij shkrimi e përmendëm faktin se zgjedhja e Presidentit është në fakt një proces, më saktë duhej të ishte, sepse hapat që nuk çojnë askund nuk mund të quhen assesi një proces. A mund të thuash që po eci po nuk lëvize këmbët? Ka shumë gjasë që një punë e nisur mbrapsht të mos përfundojë mirë. Neve, njerëzve të thjeshtë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kujtojmë edhe një herë tjetër Ligjin e Mërfit (nëse një punë e ka ndarë mendjen se do shkojë ters, atëherë ajo do të shkojë ters se s’bën) dhe të rrimë e të presim derisa të mësojmë se kush do të jetë ai njeri, i cili në fund të kësaj meseleje do të pëshpëritë i çuditur nëpër dhëmbë: Po mua më gjetën xhanëm!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA