Portugalia bën pjesë në grupin B, ose siç quhet ndryshe “Grupi i Vdekjes”, ku do të përballet me Gjermaninë, Hollandën dhe Danimarkën e fillimisht Paulo Bento ka si objektiv kalimin e grupit.
Në një intervitë për gazetën spanjolle ‘AS’, trajneri i luzitanëve theksoi: “Objektivi i parë janë çerekfinalet dhe nëse i arrijmë do të mendojmë për ndeshjet e tjera. Jemi në një grup me ekipe të forta, të cilat janë kampione Europe. Ndeshja e parë ndaj Gjermanisë do të jetë përcaktuese.”
Në lidhje me yllin e kombëtares portugeze Cristiano Ronaldo, Bento deklaroi: “Cristiano ka luajtur gjithmonë mirë me Portugalinë, por nuk mund t’i kërkojmë një lojtari të vetëm të na zgjidhë të gjitha problemet. Ka talent dhe është shumë dinamik, por nuk duhet të jetë nën presion.”
Tekniku i ri mendon se Spanja dhe Gjermania janë favoritët për fitoren e EURO 2012 dhe shton se filozofia e skuadrës së tij do të jetë mbrojtja e mirë dhe kundërsulmi.
Top Channel