Përhapen sëmundjet infektive

28/05/2012 19:45

Mjekët infeksionistë japin alarmin për shtimin e sëmundjeve infektive në vend, që përhapen nga mushkonjat si encefeltiet, ethet hemoragjike, apo dhe sëmundje të tjera infektive seksualisht të transmetueshme.

Sipas mjekëve, janë zhdukur vetëm ato sëmundje të cilat përfshihen në kalendarin e vaksinimit.

“Në 2-3 vitet e fundit ka një shtim të rasteve të infektimit nga virusi i Nilit perëndimor, që shoqërohet me ethet hemoragjike, por edhe infektime nga rrugë të tjera si sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Menaxhimi i tyre nuk mund të vlejë vetëm për parametra, sepse për sëmundjet infektive nuk mund të flitet me indikator”, deklaron Arjan Harxhi, mjek infeksionist.

Në spitalin infektiv është duke u trajtuar një pacienet me ethe hemoragjike, i cili është paraqitur në gjendje të rëndë.

Ndaj mejkët u bëjnë apel qytetarëve që me rritjen e temperaturave të bëjnë kujdes ndaj mushkonjave, të cilat janë transmetueset kryesore të sëmundjeve infektive.

“Mund të jetë një rast sporadik, por mund të jetë edhe një tregues i fillimit të përhapjes së sëmundjeve infektive në prag të sezonit. Rasti vjen nga një zonë në jug të Shqipërisë, që ne e konsiderojmë si endemike për rastet hemoragjike”, nënvizon Harxhi.

Pacienti po trajtohet në reanimacion nën kujdesin e një ekipi mjekësh të specializuar, por Harxhi thotë se me t’u shfaqur shenjat e para si temperaturë, njolla në lëkurë, apo shenja të tjera, qytetarët duhet të paraqiten menjëherë pranë shërbimeve shëndetësore, me qëllim për të fituar kohë për trajtimin mjekësor.

Top Channel