Topalli, një heshtje si kandidim

27/05/2012 00:00

Elton Metaj – Në morinë e diskutimeve për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, sigurisht më i pëlqyeri për opinionin publik është shqyrtimi apo trajtimi i emrave.

Në fund të fundit, pavarësisht se Presidenti i Republikës është një institucion kushtetues, ai drejtohet dhe do të drejtohet nga një individ, i cili duhet të përmbushë këtë detyrë. Për më tepër, i dashuruar me thashethemin politik, opinioni publik preferon, edhe pa vetëdije, të shumëfishojë emra dhe vlerësime, të lidhur me qytetarin numër një të republikës. Në ndryshim ndoshta nga herët e tjera, kur Kuvendit i është dashur t’i nënshtrohet procedurës për të zgjedhur një president, drejtuesit kryesorë të politikës janë treguar të kujdesshëm e të rezervuar në çështjen e emrave. Me përjashtim të Fatos Nanos, tashmë një kandidat i përhershëm, dhe ndonjë vetëkandidimi tjetër aventuresk, është e pamundur të gjesh në deklarimet publike të udhëheqësve të shumicës e pakicës parlamentare, referime konkrete për emra të veçantë.

Pavarësisht këtij ngurrimi për të mbërritur publikisht tek emrat, ndoshta si pjesë e një strategjie politike, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shihet një kandidaturë e mundshme e Partisë Demokratike. Gjithçka ka nisur nga një deklarim i Kryeministrit për ta zëvendësuar Bamir Topin me një “figurë qendrore të PD-së” apo “anëtar të kryesisë”. Pavarësisht elasticitetit të termave të përdorur nga Berisha, përkthimi i këtyre togfjalëshave ka qenë gjithnjë një emër: Jozefina Topalli. Por në fakt, zonja nga Shkodra duket të ketë planin e saj, brenda projektit madhor të ideuar e udhëhequr nga Berisha. E vetëdijshme për profilin e krijuar dhe perceptimin e politikës e opinionit publik mbi sjelljen e saj politike, Topalli duket se nuk ka zgjedhur për asnjë çast ta përfshijë veten në debatin presidencial. Pikërisht kjo heshtje është ndoshta kandidimi më i mirë, që projektohet edhe përtej orës 18.00 të datës 24 korrik, kur dikush duhet të shkojë në Pallatin e Brigadave për të tërhequr çelësat e shtetit nga ish-nënkryetari i PD-së.

Së pari, Jozefina Topalli nuk mund të zhvillojë një fushatë presidenciale për emrin e saj, për sa kohë edhe procedurat parlamentare, të përcaktuara nga Kushtetuta, janë të ngurta në këtë pikë. Për më tepër procedurat e zgjedhjes së kreut të shtetit po zhvillohen dhe do të konsumohen në “shtëpinë” e Jozefina Topallit, pra në Kuvend. Në këtë kuptim, sado formal, nuk do të bënte sens një fushatë presidenciale e “të zotit të shtëpisë”, pavarësisht debatit për diferencat mes kryetares dhe spikeres së Kuvendit.

Së dyti, Jozefina Topalli nuk mund të zhvillojë një fushatë presidenciale për emrin e saj, sepse Presidenti i ri i Republikës nuk do të zgjidhet në bazë të platformave të caktuara. Do të ishte e panevojshme ta shikonim e dëgjonim sot nënkryetaren e Partisë Demokratike teksa shpalos premtimet e saj për mënyrën se si do të udhëheqë shtetin në pesë vitet e ardhshëm. Në vitin 2007 dhe 2012, Fatos Nano prezantoi projektin e tij, por askush nga liderët politikë, të cilët do të vulosin emrin e presidentit, nuk u magjeps nga synimet e ish-kryeministrit socialist.

Së treti, Jozefina Topalli nuk mund të zhvillojë një fushatë presidenciale për emrin e saj, pasi ende nuk ka mbërritur momenti për të mbledhur votat që e shndërrojnë nga numri 2, në numrin 1 të shtetit. Aktualisht kampet kryesore politike janë duke “minuar” fushën ku do të ecë kundërshtari apo aleati i bezdisshëm, që synon të vlerësojë aksionet në një kohë krize. Një vendosje e Topallit mes treshes Berisha-Rama-Meta do t’i ngjante fluturimit mbi trekëndëshin famëkeq të Bermudës. Vetëm kur kjo trio të jetë shndërruar në një duet Berisha-Meta, pra pas raundit të tretë kur nuk do të nevojitet më investimi i Edi Ramës për çështjen e presidentit, Topalli mund të nisë të investojë kapitalin e saj, brenda dhe jashtë Partisë Demokratike.

Së fundi, Jozefina Topalli nuk mund të zhvillojë një fushatë presidenciale për emrin e saj, sepse nuk mund të ketë një kandidim të Jozefina Topallit, por të Sali Berishës dhe Partisë Demokratike. Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe rrudhjes së buzëve të aleatëve, profili i Topallit është një kapital i vlefshëm në duart e Berishës dhe si i tillë duhet përdorur. Sfida e Jozefina Topallit nuk duhet të jetë për të qenë një kandidate konsensuale, por një presidente kushtetuese. Deri atëherë, ndoshta Topalli do të kandidojë duke heshtur.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA