Topi-Jahjaga në Spitalin Ushtarak

25/05/2012 00:00

Presidentja e Reublikës së Kosovës Atifete Jahjaga ndodhet në Shqipëri për një axhendë të sajën zyrtare. Por vizitën e parë presidentja Jahjaga zgjodhi ta bëjë në Spitalin Ushtarak, ku po kurohen studentet e aksidentuara në Himarë. Ajo shoqërohej nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.

“Shpreh ngushëllimet më të thella të popullit të Republikës së Kosovës, të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mbarë popullit të Kosovës dhe të miat … për një ngjarje kaq të rëndë!”, u shpreh Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Ky solidaritet është parë në Shqipëri, është parë në Kosovë  dhe sipas asaj që jemi informuar, edhe komuniteti shqiptar në Austri, ku ka shqiptarë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, ka treguar një solidaritet të lartë duke u qëndruar afër vajzave që janë atje, por edhe për t’u ofruar strehim dhe trajtim familjarëve”, deklaroi Presidenti Topi.

Presidenti tha se gjendja e studenteve që ndodhen ende në Spitalin Ushtarak është përmirësuar ndjeshëm. Ato nga momenti në moment mund të jenë të gatshme edhe për ta lënë Spitalin, por kjo varet nga mjekët.

Top Channel