Rama, vizite në Gjermani

23/05/2012 00:00

Kreu opozitës Edi Rama ndodhet në gjermani për një vizitë, ku është takuar me  përfaqësues të lartë të politikës gjermane.

Siç njofton zyra e shtypit e Partisë Socialiste në takimin me Presidentin e Parlamentit, zotin Norbert Lammert, biseda u përqendrua në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Zoti Rama e njohu zotin kreun e Bundestagut gjerman edhe me zhvillimet e fundit që lidhen me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në një mënyrë konsensuale, si edhe me ecurinë e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare.

“Mbaj mend mirë jemi takuar në Tiranë disa vite më parë. Ne ndamë perceptimet tona sa i takon perspektivës evropiane të Shqipërisë. Unë gjithmonë e kam thënë që Shqipëria në këndvështrimin tim dhe në këndvështrimin e shumicës dërrmuese së parlamentit gjerman i përket Evropës, por ka nevojë që të implementojë kriteret e nevojshme në mënyrë që të mos jetë thjesht pjesë e Europës, por që të bëhet një kandidate serioze për Bashkimin Europian”, tha Presidenti i Bundestagut Gjerman Norbert Lammert.

Edi Rama është takuar edhe me Kryetarin e Partisë Social Demokrate gjermane, zotin Sigmar Gabriel, ku është diskutuar bashkëpunimi mes dy partive si dhe në disa cështje specifike të programit qeverisës sic janë taksimi i ndershëm dhe masat antikrizë.

“Jam shumë i lumtur të takoj kolegun tim këtu në Gjermani në Berlin dhe mendoj se ne duhet të punojmë bashkë në vitet që vijnë edhe për çështjet evropiane po gjithashtu shpresoj që Rama të fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe ne po ashtu në Gjermani. Situata në Shqipëri është e vështirë unë e di, dhe ne do të bëjmë gjithë çfarë mundemi të bëjmë për të mbështetur zhvillimet demokratike, sociale dhe ekonomike. Përsëris jam i lumtur që pata mundësinë t’ ju takoj në Gjermani”, tha Sigmar Gabriel.

Top Channel