ALEKSANDER ÇIPA- Trembëdhjetë vdekjet e shkaktuara nga aksidenti tragjik
në Grykën e Vishës, në Himarë, të hënën e kësaj jave, kanë në
aritmetikën e tyre tragjike edhe një shifër supersticioze.
Janë 11 studente që kanë lënë jetë-shpirtin në tokë, për ta vijuar në të amëshueshmen. Një jetëfikje e rrallë, e pagjendshme në asnjë legjendë, në asnjë mit apo edhe e pa paraparë në librat e shenjtë. Një numër kaq i madh vajzash kurrë nuk ka pasur një fat të tillë të përbashkët dhe të njëkohshëm. Një vdekje e tillë tejkalon çdo dimension të imagjinuar. Kaq jetë të fikura në një akt udhëtimi si ai i ndërpreri në Grykën e Vishës, nuk ka histori dhe letërsi që e përshkruan.
Por tragjedia nuk është vetëm kaq. Te çdo emër i kësaj kurore-jetësh, ka një histori jete dhe ëndrrash të ndërprera.
Kolegu dhe pedagogu i studentëve që patën fatin tragjik të autobusit me targë EL…..Ilir Yzeiri, në shkrimin e shpërndarë dje dhe sot në mediat online dhe shtypin e printuar: “Studentet e mia”, ndër të tjerash shkruan: “Të dashura studentet e mia, Denisa, Ermira, Aurora, Lindita, Joana, Elsa, Juliana, Fabiola, Eriola, Eranda, Dorina! Ne nuk do të takohemi më. Ju e ndërpretë rrugën dhe Zoti ju mori atëherë kur ju do të duhej të nisnit jetën. …Ju me vdekjen tuaj tragjike na bëtë më njerëzorë sot, por ju e mbushët me shumë trishtim këtë vend. Është e paimagjinueshme se si mund të vdesin në një ditë kaq shumë vajza…”
Është një reagim i pedagogut i cili në ditët e ardhme do të përballet me një mungesë të pamëshirshme në auditorët e universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Kjo jetëmbyllje e beftë, ndodh në fakultetin dhe departamentin që ka lidhje me letërsinë. E imagjinon shumëkush se si do të eseizohet raporti mes kulmit të jetës dhe vdekjes në këtë auditor nga studentët e mbetur dhe ata që do të vijnë në kohë!!!
Kurrë ndonjëherë nuk ka ngjarë që nga i njëjti auditor të mungojnë përgjithnjë, kaq shumë vajza. Kurrë nuk ka për të ngjarë, të mos kenë mundësinë e marrjes së diplomave të tyre kaq shumë studente të të njëjtit kurs. Kurrë nuk mund të ndodhë të lënë përgjysmë studimet, dhe t’i ikin kaq tronditshëm jetës njëherësh 11 studente. Por, kurrë nuk mund të ndodhë që të lenë në “mërinë e mungesës së përhershme” familjarët e tyre dhe jetën e përbashkët. Kjo bashkësi vdekjesh, e shembi tërmetshëm këtë simetri.
Kjo është mungesa me dhimbje të përhershme. Është dhimbja më e madhe e imagjinueshme për një shoqëri dhe komunitet studentësh-prindërish-pedagogësh dhe …..Vdekja e kaq shumë vajzave, fiton fatalisht simbolikën e një tragjedie të kulmshme.
Pa ikur prej 11 vdekjeve të studenteve shpirtbukura, shumë prej raportuesve të ndodhisë së tmerrshme në mediat tona, kanë selektuar historitë dhe subjektet e tyre jetësore. Të gjitha të bukura, edhe pse në peshën dhe kuptimin e së zakonshmes. Raporte që lidhen me këmbënguljen e bukur deri në flijimin e papritur, si ai mes djaloshit kavajas, Armand Halilaj me Besjana Danin. Por më pikëlluese janë fjalët dhe lotët që vijuan orët e tmerrit dhe ankthit për nxjerrjen e trupave të tyre nga ai hon-vdekjeje në Vishë.
Kjo kurorë-vdekjesh e ka lënë në lot shumicën e shoqërisë. Lëndimi është fryma e këtyre orëve, sikundër dhimbja kësaj here ka ngritur ishuj të shumtë nëpër shpirtra dhe vatra familjesh. Por një auditor të rrallë dhimbjeje për studentet shpirtbukura do ta ketë tani e tutje i vetmi universitet, ai i Elbasanit.
Pedagogë, lutemi, në atë auditor mos bëni më apel!
Studentet e munguara përhershmërisht na kanë dhënë mundësinë të shijojmë të gjithë, “notën” e dhimbjes. Para këtij “provimi” që e dhamë të gjithë për to, kemi pasur barazisht mundësinë të jemi më të disponueshëm ndaj së njerëzishmes.
Studente shpirtbukura këtë leksion, na e dhatë fatalisht të gjithëve dhe ne nuk dimë ç’notë t’i japim mungesës tuaj të pakthyeshme!
Top Channel