ANDREA STEFANI – Katër vjet më parë, përfaqësuesit e komunitetit
ndërkombëtar në Tiranë inkurajuan dhe lavdëruan ndryshimin e Kushtetutës
duke i krijuar mundësi Kryeministrit të zgjedhë Presidentin e
Republikës edhe vetëm me 71 vota të shumicës.
Duke injoruar paralajmërimet e kritikëve të amendimeve, ndërkombëtarët këmbëngulën se gjithçka bëhej në emër të stabilitetit politik duke shmangur krizat e panevojshme. Kohët provuan sesa i gabuar ishte ky gjykim. Vendi jo vetëm nuk i shmangu, por është zhytur në një krizë politike të thellë. Dhe pikërisht ndërkombëtarët, ata që e shihnin dikur shmangien e krizës te tolerimi i zgjedhjes së Presidentit edhe me 71 vota, po përpiqen ta shmangin një gjë të tillë në emër jo vetëm të ndarjes së pushteteve, por edhe të parandalimit të një krize që do shkaktonte pikërisht zgjedhja nga Berisha e një Presidenti me 71 vota.
***
Nëse Kushtetuta nuk do të ishte ndryshuar, sot do të kishim një situatë krejt tjetër. Në vend të një Berishe të etur për ta zgjedhur Presidentin me 71 vota do kishim një Berishë të prirur për konsensus sepse në të kundërt, vendi duhet të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Nevoja për të mbajtur pushtetin do ta shtynte Berishën drejt një Presidenti konsensual. Berisha këmbëngul të caktojë President me shumicë të thjeshtë një nga besnikët e tij pikërisht sepse për shkak të amendimeve të Kushtetutës, nuk e ka të rrezikuar pushtetin nga zgjedhje të parakohshme. Këtë gjakim të Berishës, tashmë kushtetues edhe në formë, ndërkombëtarët po përpiqen ta shmangin duke nënvizuar faktin se Kushtetuta sugjeron një President konsensual pavarësisht se, në fund fare, jep si zgjidhje të detyruar një President me shumicë të thjeshtë. Natyrisht e kanë të vështirë. Sepse edhe Berisha nuk ka bërë gjë tjetër, veçse u ka kujtuar gjithmonë të drejtën që i njeh Kushtetuta për ta zgjedhur Presidentin vetëm me votat e shumicës. Është një situatë paradoksale që Arvizu, ambasadori i SHBA në Tiranë, e shprehu si pa dashje kur deklaroi se zgjedhja e Presidentit vetëm me 71 vota është legjitime, por njëherazi do të ishte dhe një shans i humbur për Shqipërinë. Edhe legjitime, por edhe e dëmshme për vendin?! Është e saktë situata që kanë krijuar amendimet e Kushtetutës që kanë legjitimuar me Kushtetutë një akt që duke çuar në përqendrimin e pushteteve në një dorë të vetme, nuk mund të mos jetë në kundërshtim me objektivin e integrimit europian të Shqipërisë. Dhe këtë absurditet që kundërvë formën me frymën e Kushtetutës, shqiptarëve ja u kanë borxh edhe diplomatë që e kanë mbyllur misionin e tyre në Shqipëri, si ambasadori i KE në Tiranë, Helmut Lohan, ambasadori i OSBE, Rober Bosh, ambasadori gjerman, Bernd Borçard apo ajo franceze Marsi Daviet. Këta diplomatë u shfaqën në vitin 2008 më entuziastët për amendimet absurde të Kushtetutës. Amendimet “..nuk bien në kundërshtim me asnjë parim të demokracisë dhe shtetit ligjor”, – deklaronte Borçard. Amendimet “…nuk bien ndesh me parimet e demokracisë ose shtetit të së drejtës” – pasonte Daviet. Ndërkaq, Lohan bëri kujdes që amendimet e Kushtetutës, pavarësisht debatit që kish shpërthyer rreth tyre, të mos gjenin thuajse asnjë pasqyrim në raport progresin e radhës së KE. Një avokati që ia vështirësoi në kulm mbrojtësve të Kushtetutës detyrën e sqarimit të shqiptarëve për rreziqet që paraqiste ky operacion për demokracinë dhe lirinë. Sepse në Shqipëri është ende e vështirë të kritikosh një akt politik të gabuar nëse “ndërkombëtarët” shfaqen dakord me të.
***
Tashmë kemi ardhur në momentin kur konsensusi për Presidentin pengohet pikërisht nga produkti i konsensusit “historik” PD-PS për ndryshimet kushtetuese. Një produkt kontravers i bekuar atëherë nga ndërkombëtarët dhe që sot janë po ndërkombëtarët që duhet të pengojnë rrënimin “kushtetues” të ndarjes së pushteteve në Shqipëri. Ambasadorët Arvizu apo Sekui, duhet të mos lejojnë të ndodhë ajo që me verbëri u tolerua nga paraardhësit e tyre “ndërkombëtarë”. Urojmë që jo vetëm koshienca për rrezikun që paraqet një President partiak, aq më shumë një President kryeministror, por edhe pesha e fajit për sponsorizimin aventuresk që “ndërkombëtarët” i bënë ndryshimit të Kushtetutës, t’i mobilizojë edhe më fort se në vitin 2002 kur ishin po “ndërkombëtarët” ata që detyruan PS në pushtet dhe Kryeministrin Nano të pranonin një President konsensual edhe pse PS i kishte më shumë se 84 vota në dispozicion. Gjë që nuk mund të jetë më e pamundur sot kur Berisha vështirë se i ka edhe 70 vota.
Top Channel