Tragjedia e Himarës, dëshmitë nga spitali i Vlorës

22/05/2012 19:05

Në spitalin e Vlorës ishin mbledhur shumica e prindërve dhe familjarëve të studentëve që u përfshinë në aksidentin fatkeq. Mes lotëve, dhimbjes dhe shpeshherë mungesës së informacionit, prindërit tregojnë momentet e para kur morën vesh për aksidentin.

Babai i Juliana Kuqit, njërës prej vajzave të plagosura, thekson: “Folëm për herë të fundit me vajzën të dielën. Kur e morëm vesh nga televizionet u tensionuam shumë, nuk dinim çfarë të bënim: të vinim në Tiranë, në Vlorë, në Himarë… Më pas na lajmëruan në telefon që ishte në Himarë.”

“Është dërrmuar nga koka, këmbët, krahët…”, thekson prindi i vajzës së plagosur.

Ndërsa në pavionin e kirurgjisë në Spitalin rajonal të Vlorës ndodhen të shtruara një pjesë e vogël e të plagosurave me dëmtime jo serioze.

“Jam zgjuar me dhimbje. Jam dëmtuar në këmbë dhe kam pësuar disa goditje. Në fillim u shtrova në spitalin e Himarës e më pas erdha në Vlorë ku po më prisnin prindërit në spital”, shprehet një nga vajzat e plagosura.

Ndërsa një tjetër tregon: “Nuk kam parë asgjë sepse isha në gjumë. Nuk e di fare se si ka ndodhur, nuk mbaj mend asgjë.”

Altruizmi i Himarës

Asgjë nuk funksiononte në Himarë. Gjithë qytetarët ndodheshin pranë kthesës së Vishës të hënën, vendit ku ndodhi aksidenti i tmerrshëm.

Solidariteti mes njerëzve ishte i jashtëzakonshëm, banorët e Himarës mbërritën menjëherë në vendngjarje rreth orës 16.30. Ata ndihmuan në nxjerrjen e trupave nga autobusi.

“Na lajmëruan shokët që kishte rënë një autobus. Ishte e tmerrshme: dikush që kërkonte ndihmë, dikush që nuk jepte shenja jete. Ndihmuam ata që ishin gjallë ende. Ndihmuan policët dhe djemtë e Himarës. Të gjithë u ngritën, të rinj e të vjetër. Dikush ndihmoi në nxjerrjen e trupave, dikush solli batanije”, shprehet një banor, nga të parët që dha ndihmë për fatkeqët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA